Një dëshmi e fortë vjen nga protesta e zhvilluar në Tiranë, ku një 16-vjeçar ka treguar për mikrofonin e gazetarit të News24, Osman Stafa, dhunën e ushtruar ndaj tij pas shoqërimit nga policia një natë më parë, si dhe gjobën marramendëse prej 5 milionë lekësh të vjetra që i është vendosur në komisariat. I riu rrëfeu se ishte futur në një lokal pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” kur u pikas nga një efektiv policie dhe më pas u shoqërua me forcë nga 4-5 agjentë civilë, pavarësisht ndërhyrjes së qytetarëve të pranishëm. Sipas tij, dhuna fizike dhe fyerjet kanë nisur sapo është futur në automjetin e policisë, ku efektivët e kanë goditur në kokë dhe kanë ndaluar vetëm pasi ai u ka treguar se ishte i mitur, 16 vjeç. Në komisariat, adoleshentit i është prerë një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra me akuzën se në orën 19:05 është fiksuar duke hedhur lëndë piroteknike në drejtim të uniformave blu. Megjithatë, 16-vjeçari e mohon kategorikisht një veprim të tillë, duke sqaruar se kishte një kapsollë me vete, por nuk e kishte hedhur atë, dhe se këtë fakt mund ta vërtetojë përmes pamjeve filmike të regjistruara nga një qytetar. Ai shtoi se policia e kishte identifikuar vetëm për shkak të tutave të kuqe që mbante veshur. I pyetur për arsyet që e shtyjnë të dalë në shesh, i riu u shpreh se proteston për të drejtat e tij dhe për një jetë më të mirë, larg vjedhjes dhe korrupsionit. Ai tregoi gjithashtu gjendjen e vështirë ekonomike të familjes së tij, ku është djali i madh me tre motra më të vogla dhe i vetmi që punon është babai saldator, rroga e të cilit mezi mjafton. Pavarësisht masës ndëshkimore dhe dhunës së përjetuar, 16-vjeçari deklaroi me vendosmëri se nuk ka mundësi ta paguajë gjobën dhe as nuk do ta paguante, duke theksuar se nuk frikësohet dhe për këtë arsye kishte dalë sërish në protestë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
