Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë në Shqipëri dy shtetas të kërkuar për vepra të rënda penale.
Nga Kolumbia është ekstraduar shtetasi kolumbian Saimir Rosales Rodriguez, 53 vjeç, pjesëtar i dyshuar i një grupi të strukturuar kriminal, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në vitin 2022.
Gjykata e Posaçme e dënoi me 14 vite burg Saimir Rosales Rodriguez, pasi ai akuzohet nga SPAK se do të përpunonte një sasi të madhe kokaine në një laborator në Frakull të Fierit, që u zbulua disa vite më parë nga autoritetet. Sipas hetimeve, Saimir Rosales Rodriguez, dyshohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, i nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, që kaloi përmes portit të Pireut në Greqi dhe kishte destinacion tranzit Malin e Zi, me synim përfundimtar Shqipërinë.
Operacioni u realizua falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Bogotës.
Gjithashtu, nga Italia është ekstraduar shtetasi F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për disa vepra penale.
Ai akuzohet për tentativë vrasjeje me armë zjarri, pasi në vitin 2024, në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj shtetasit A. P., pas një konflikti verbal.
Për këtë ngjarje, Gjykata e Dibrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
F. T. rezulton gjithashtu i proceduar për “Goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe i dënuar më parë për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Policia e Shtetit bëri të ditur se operacioni “The Wanted” vijon në kuadër të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
