Lajme Zone
EkonomiEuronews Albania

Vetmia dhe izolimi i moshës së tretë, ekspertët ngrenë alarmin


Dekadën e fundit, edhe Shqipëria po përballet me një rritje të rasteve të vetëvrasjeve. Statistikat flasin për afro 8 raste për 100 mijë banorë, ndërsa shifrat mendohet të jenë edhe më të larta nga sa raportohen.

Dekadën e fundit, edhe Shqipëria po përballet me një rritje të rasteve të vetëvrasjeve. Statistikat flasin për afro 8 raste për 100 mijë banorë, ndërsa shifrat mendohet të jenë edhe më të larta nga sa raportohen. Ekspertë të shëndetit publik dhe psikologë tregojnë se ky fenomen është më i përhapur tek të rinjtë dhe të moshuarit. Depresioni, izolimi dhe mungesa e shpresës janë ndër faktorët që mund të çojnë një person drejt lëndimit të vetes. “Fillojnë në një moshë shumë të re deri në moshat e treta, grupet më të rrezikuara në Shqipëri sipas analizave janë mbi 75 vjeç, që janë rreth 13 raste për 100 mijë banorë dhe 45-55 vjeç. Në moshat e treta është për shkak të shumë problemeve sociale, vetmia, humbja e partnerëve, duke qenë pensionist janë humbur kontaktet me personat që kanë pasur më parë, pensioni sjell dhe humbje ekonomike, gjithmonë vetëvrasja është shumëfaktoriale”, thotë Arlinda Cerga Pashoja, specialiste e shëndetit publik. Por a mund ta kuptojmë një person që ka vendosur të lëndojë veten? “Kur personi flet se e ardhmja është pa shpresë ose nuk bën plane për të ardhmen, janë disa shenja, sigurisht depresioni, shenjat e depresionit, izolimi në vetvete, sjellja ndryshe nga më parë, që të gjitha këto janë shenja, por është gjithmonë e vështirë për të parashikuar…”, thotë ajo. Komunikimi, sipas ekspertëve, është çelësi për të ndihmuar personat që gjenden në situata që mund të shkojnë drejt vetëflijimit ndërsa media duhet të jetë një prej partnerëve kryesorë për parandalimin e vetëvrasjeve. Për këtë arsye, Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkon nga mediat kujdes të shtuar në raportimin e këtyre ngjarjeve, duke shmangur sensacionalizmin, detajet rreth ngjarjes, metodat apo vendin.