Sektori i blegtorisë gjendet në vështirësi, për shkak të kostove të larta dhe subvencioneve të ulëta. Përfaqësues të sektorit rikthejnë në vëmendje nisjen e protestave nëse nga institucionet nuk do të plotësohen kërkesat e tyre. Disa blegtorë prodhues përfaqësues për sektorin, tashmë i janë drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ministrit të Bujqësisë Andis Salla dhe ministrit të Financave Petrit Malaj, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për situatën e sektorit të qumështit. LEXO edhe...Të ardhurat nga kontributet ‘ndihmojnë’ skemën e pensioneve, kalojnë 134 miliardë lekë Në letrën e tyre, blegtorët shprehen se sektori ndodhet në kushte të vështira dhe se nevoja për zgjidhjen e problematikave është bërë gjithnjë e më emergjente. Blegtorët kujtojnë dakordësimin e bërë në takimin e 7 prillit 2026 me ministrat e Bujqësisë dhe të Financave, kur sipas tyre ishte rënë dakord që çështjet e sektorit të trajtoheshin në muajin shtator. Por, sipas blegtorëve, situata e tregut nuk lejon më shtyrjen e zgjidhjeve. “Aktualisht blegtoria është në kushte të vështira mbijetese dhe nevoja për zgjidhjen e kërkesave tona bëhet përditë edhe më emergjente. Kemi pritur Shtatorin sipas dakordësimit të bërë në takimin e datës 07.04.2026, por kjo pritje nuk mund të shtyhet më tej. E rrjedhur kjo nga problematikat që janë të njohura, por dhe ato të pa parashikuara që ndodhet sot tregu në Shqipëri”, theksohet në letrën e tyre. Blegtorët rendisin 7 kërkesa konkrete për plotësim ndaj qeverisë. Një nga kërkesat kryesore të përfaqësuesve të sektorit lidhet me uljen e kostove të prodhimit përmes heqjes së akcizës dhe taksave mbi naftën për sektorin e blegtorisë. Kjo kërkesë ishte edhe në qendër të protestave të fermerëve të zhvilluara në fillimin e muajit prill, të cilët kanë kërkuar rikthimin e skemës së naftës së subvencionuar. Heqja e skemës së naftës erdhi në një periudhë kur çmimet e karburanteve dhe të inputeve bujqësore pësuan rritje të konsiderueshme, duke shtuar presionin mbi fermerët për shtim të kostove prodhuese. Një tjetër kërkesë konkrete financiare është që pjesa e fondeve të parealizuara nga skema për kompensimin 10% të TVSH-së të rialokohet për subvencionimin e blegtorëve. Pra blegtorët prodhues kërkojnë që fondet e parashikuara për dhënien e kompensimit të TVSH-së 10%, por të papërdorura, të orientohen drejt mbështetjes së sektorit të blegtorisë. Aplikimet për kompensimin e TVSH-së 10% kanë nisur nga 1 korriku. Efekti financiar në vitin e parë të zbatimit llogaritet rreth 1.5 mld lekë apo rreth 15 mln euro. Nga blegtorët është përsëritur disa herë se skema e kompensimit nuk pritet të jetë efikase, pasi masa e kompensimit përcaktohet në bazë të autofaturave të lëshuara prej grumbulluesve për blerjet e bëra te fermerët dhe blegtorët, që në shumë raste i lëshojnë me vlera që iu shërbejnë atyre për rregullimin e bilanceve. Një tjetër kërkesë është rishikimi i skemave ekzistuese të mbështetjes dhe shtimi i subvencioneve për blegtorët. Sipas prodhuesve, niveli aktual i mbështetjes nuk mjafton për të përballuar kostot dhe vështirësitë me të cilat përballet sektori. Kërkesa të tjera të tyre janë është krijimi i një laboratori shtetëror për kryerjen e analizave të qumështit, rikthimin e tarifave për importin e qumështit pluhur, vajit të palmës. Blegtorët kërkojnë që nga institucionet të forcohet kontrolli për qumështin e importit për përmbajtje të lëndëve të ndaluara. Ndërsa për ta problem mbetet edhe përmbajtja e etiketave të prodhimeve të produkteve të bulmetit, për rastet kur për prodhim vendas përdoret qumësht i importit. Edhe më herët përfaqësues të blegtorëve ngritën për Monitor shqetësimin e vështirësive që po has sektori dhe paralajmëruan rikthimin e protestave në fillim të muajit shtator, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Kërkesat e blegtorëve prodhues Krijimi i një laboratori shtetëror për analizat e qumështit;Uljen e çmimit të naftës për blegtorët duke hequr akcizën dhe taksat;Vendosjen e tarifave për produktet e vajit të palmës, qumështit pluhur dhe hirrës;Rishikimin dhe shtimin e subvencioneve të dhëna ndaj blegtorëve;Etiketimi e produkteve duke treguar vendin e origjinës së qumështit me të cilin prodhohet;Rialokimin e pjesës së parealizuar nga skema e 10% në subvencione për blegtorët;Kontrolle në kufi për qumështin e importit për aflatoksinë, proteinë, yndyrë dhe ngarkesë mikrobiologjike.“Kërkesat e sipërcituara janë jetike për situatën ku ndodhet aktualisht sektori i blegtorisë dhe rrjedhimisht kërkojmë një takim të përbashkët me të dy Ministritë sa më parë që të jetë e mundur pasi çdo ditë e më tepër po vështirësohet mbijetesa e këtij sektori”, theksojnë blegtorët në letrën e tyre./Monitor Ora 15:03 'Buxheti i Ramës për bujqësinë sa 5 km rrugë të florinjta', Blushi: Mbështesim 7 kërkesat e blegtorëve, ja çfarë propozon PL Partia e Lirisë ka dalë në mbështetje të shtatë kërkesave të blegtorëve, ndërsa Tedi Blushi prezantoi edhe masat që kjo forcë politike propozon për bujqësinë dhe blegtorinë.Blushi akuzoi qeverinë për financim të pamjaftueshëm të sektorit, duke e krahasuar buxhetin për bujqësinë me koston e “vetëm 5 kilometrave rrugë të florinjta”.Sipas tij, kostot e larta të prodhimit, çmimi i naftës, subvencionet dhe konkurrenca nga importet kanë vënë në vështirësi blegtorët. Ai deklaroi gjithashtu se numri i krerëve të bagëtive është thuajse përgjysmuar brenda një dekade.PL thotë se mbështet shtatë kërkesat e blegtorëve: heqjen e akcizës dhe taksave mbi naftën, rritjen e subvencioneve, kalimin në subvencione direkte të fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së, ngritjen e një laboratori shtetëror për analizat e qumështit, vendosjen e tarifave për qumështin pluhur, vajin e palmës dhe hirrën, etiketimin e origjinës së qumështit dhe forcimin e kontrolleve për qumështin e importuar.“Buxheti i shtetit për mbështetjen e bujqësisë është baraz me koston e vetëm 5 kilometra rrugë të florinjta që shtron Edi Rama”, deklaroi Blushi.Deklarata e plotë "Partia e Lirisë mbështet plotësisht kërkesat e drejta të blegtorëve shqiptarë, të cilët vit pas viti përballen me një situatë gjithnjë e më dramatike.Blegtoria shqiptare përballet sot, si në asnjë vend tjetër të rajonit, me nënfinancim kronik të qëllimshëm, me kosto të larta prodhimi, çmime të larta të naftës, subvencione mizerabël dhe totalisht të pamjaftueshme, por edhe me një konkurrencë të pandershme nga importet. Një sektor jetik dhe strategjik për ekonominë, punësimin, ushqimin dhe jetën e qindra mijëra familjeve shqiptare po dobësohet qëllimisht në funksion të axhendës antikombëtare të shpopullimit.Kjo ndodh për dy arsye.Së pari për shkak të profilit kriminal të ekonomisë të mbështetur te narkoeuro dhe pastrimi i parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryesisht në sektorin e ndërtimit.Së dyti, për shkak se krimi ka kapur të gjithë shtetin.Ndaj fokusi nuk është te interesi publik, e në veçanti, as te fermerët e blegtorët shqiptarë. Kësaj situate i shtohet edhe skandali i abuzimeve me fondet IPARD, që ka rënduar drejtpërdrejt mbi fermerët. Për të tretin vit radhazi, më shumë se 300 milionë euro fonde europiane mbeten të paarritshme për fermerët, për shkak se ndihma e dedikuar për zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë, përfi te inceneratorët dhe bandat e lidhura me Qeverinë.Financimi vijon të mos zhbllokohet se sikur të mos mjaftonte vjedhja, Qeveria ka bllokuar prej tre vitesh edhe hetimet.Në Greqinë fqinje, hetimet efektive për abuzimet me fondet europiane të bujqësisë çuan në heqjen e imunitetit të 13 deputetëve të partisë në pushtet dhe arrestimin e mbi 37 zyrtarëve, ndërkohë që fermerët shqiptarë vijojnë të vuajnë pasojat e drejtpërdrejta të dështimit të administrimit dhe hetimit të mënyrës se si u përdorën këto fondeve.Në këtë situate dramatike, Partia e Lirisë mbështet shtatë kërkesat konkrete të blegtorëve:Heqjen e akcizës dhe taksave mbi naftën për blegtorët dhe uljen e kostove të karburantit.Rishikimin dhe rritjen e subvencioneve për sektorin e blegtorisë.Rialokimin e fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së në subvencione direkte për blegtorët.Krijimin e një laboratori shtetëror për analizat e qumështit.Vendosjen e tarifave për qumështin pluhur, vajin e palmës dhe hirrën, për të mbrojtur prodhimin vendas.Etiketimin e qartë të produkteve, duke përcaktuar origjinën e qumështit të përdorur në prodhim.Forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, për aflatoksinën, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.Këto 7 kërkesa minimaliste, janë plotësisht të realizueshme, nuk janë luks por lidhen drejtpërdrejt me mbijetesën e një sektori strategjik dhe jetik për ekonominë e vendit.Sepse është mohimi i mbështetjes për fermat tona blegtorale, mungesa e mbështetjes financiare nga Qeveria për fermat dhe bagëtitë tona, që ka detyruar sektorin blegtoral vendas të mos mbulojë dot as kostot e prodhimit.Prandaj edhe numri i krerëve brenda një 10-vjeçari është thuajse përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme.Fermerët dhe blegtorët duhet të dinë se shfarosja e programuar e bagëtive të vendit është nxitje për shpopullimin e vendit.Kjo ndodh për shkak se zëri për mbështetjen e bujqësinë në buxhetin e shtetit është baraz me koston e vetëm 5 kilometra rrugë të florinjta që shtron Edi Rama. Ndërkohë Maqedonia e Veriut, një vend më i vogël se ne dhe me potencial zhvillimi më të vogël se Shqipëria e mbështet blegtorinë rreth 8.5 herë më shumë.Partia e Lirisë e ka vendosur bujqësinë 1 nga 5 prioritet e saj kombëtare për 4 milionë shqiptarë plus. Sepse vetëm duke mbështetur seriozisht këtë sektor jetik hidhet një hap vendimtar për ndalimin e shpopullimit.Përmes masave konkrete dhe realiste, jemi të bindur që Shqipëria i ka të gjitha potencialet të shndërrohet në fuqi eksportuese në këtë drejtim. Programi i Partisë së Lirisë parashikon rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral përmes dyfishimit të pagesave direkte. Ne do të mbështesim bujqësinë me mbi 30 miliardë lekë çdo vit dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim.Pagesë grant të menjëhershme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar të krijuar dhe përjashtim të tij nga taksat e tatimet për 5 vite.Do të 5-fishohet mbështetja me pagesë direkte për çdo kokë dele apo dhi, nga 12 Euro që është sot, në 60 Euro nesër.Do të ulet pragu i përfituesve në 30 dele apo dhi, nga 100 që është aktualisht.TVSH 0% për ushqimin e të imtave.Pagesë direkte për çdo dele apo dhi të lindur, me 5 Euro.Pagesë direkte për çdo dele apo dhi të therur për mish në masën 5 euro.Pagesë direkte për çdo litër qumësht në masën 10 Lekë/liter.Në këtë mënyrë ne rritim mirëqenien e blegtorëve shqiptarë.Synimi ynë është që ta kthejmë Shqipërinë nga një vend që importon ushqimin e vet, në një fuqi prodhuese dhe eksportuese.Vetëm si pasojë e mos arritjes së mbledhjes së të ardhurave buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria nuk arkëton në vit 4 miliard euro, që vidhen nëpërmjet korrupsionit në tatime e dogana dhe evazionit fiskal klientelist.Para ka por natyra kriminale e ekonomisë dhe kapja për fyti e shtetit nga krimi nuk lejon që fokusi dhe prioriteti absolut të jetë interesi publik.Vetëm një politikë e re ekonomike, që vendos fermerin dhe prodhimin vendas në qendër, mund t’i japë frymëmarrje bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare. Dhe kjo kërkon largimin e menjëhershëm të Edi Ramës dhe shporrjen e një Qeverie hajdute që e ka lënë bujqësinë, blegtorinë dhe prodhuesin shqiptar pa mbështetje.Vetem largimi i Edi Ramës i jep frymemarrje bujqësisë dhe fermerit shqiptar" tha Blushi. Share P.J/U.D/ReportTv.al Ministria e Financave Ministria e bujqësisë Blegtoria Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 53.8% Jo 39% Disi 7.3% Vota total: 3607 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

