Fustani ikonë i Princeshë Dianës, i veshur prej saj në një mbrëmje gala në Londër vetëm disa orë pasi princi i atëhershëm Charles pranoi publikisht se kishte qenë i pabesë gjatë martesës së tyre, do të dalë në ankand. Fustani i zi prej mëndafshi, i dizajnuar posaçërisht nga stilistja Christina Stambolian, u bë një prej veshjeve më të famshme të Dianës. Ajo u shfaq me të në Galerinë Serpentine në vitin 1994, duke krijuar një nga momentet më të komentuar të kulturës pop të asaj kohe.
Mediat e pagëzuan veshjen si “fustani i hakmarrjes”, ndërsa sot ajo konsiderohet një prej veshjeve më ikonike të Princeshë Dianës.
Shtëpia e ankandeve Sotheby’s pret që fustani të shitet për deri në 300 mijë dollarë, rreth 220 mijë paund, kur të dalë në ankand më 9 dhjetor.
Sipas Sotheby’s, kjo është hera e parë që fustani ofrohet në ankand që nga viti 1997, kur Princesha Diana shiti 79 prej fustaneve të saj për të mbledhur fonde për organizata bamirësie.
Morgane Halimi, drejtuesja globale e departamentit të çantave dhe modës në Sotheby’s, tha se Diana “e kuptonte instinktivisht” se moda mund të ishte një gjuhë më vete.
“Me kushtet e saj, Princesha Diana e ktheu fustanin në një prej mesazheve më të fuqishme që ka përcjellë ndonjëherë, në një nga periudhat më të vëzhguara dhe emocionalisht të ngarkuara të jetës së saj”, tha Halimi.
Ajo shtoi se Diana u shfaq në një moment kur historia e saj po tregohej nga të tjerët, por përmes veshjes që zgjodhi “e rimori vetë kontrollin mbi rrëfimin”. Sipas Sotheby’s, stilistja personale e Dianës në atë kohë, Anna Harvey, kishte thënë se princesha “donte të dukej si një milion dollarë”.
Diana e ndryshoi zgjedhjen e veshjes në momentin e fundit për darkën bamirëse dhe zgjodhi fustanin e zi pa mëngë të stilistes greke Christina Stambolian. Ajo e kombinoi me një çantë të zezë, këpucë të zeza dhe një bizhuteri mbretërore.
Edhe automjeti me të cilin Diana mbërriti në event, një Jaguar XJ40, është shitur në ankand në fillim të këtij viti për 66,250 paund. Megjithatë, fustani ikonë pritet të arrijë një çmim shumë më të lartë.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që një veshje e Princeshë Dianës shitet për një shumë të konsiderueshme. Në vitin 2023, një pulovër e saj me motive delesh, ku një dele e zezë dallohej mes rreshtave të deleve të bardha, u shit nga Sotheby’s në Nju Jork për 920 mijë paund. Top Channel

