Shqipëria u përfshi në zonën e Europës Jugore që regjistroi temperatura dukshëm mbi normalen gjatë verës 2026. Sipas hartave të Copernicus Climate Change Service, temperatura mesatare e ajrit në periudhën qershor-gusht në territorin shqiptar rezulton afërsisht 1 deri në 2.5°C mbi mesataren e viteve 1991-2020, me anomali më të larta në disa zona të vendit. Edhe numri i ditëve të nxehta u rrit ndjeshëm. Harta e Copernicus, ku një “ditë vere” përkufizohet si ditë me temperaturë maksimale mbi 25°C, e vendos pjesën më të madhe të Shqipërisë në intervalin prej rreth 15 deri në 25 ditë më shumë se mesatarja, me diferenca sipas zonave. Krahasimi bëhet me periudhën 1991-2020. Shqipëria u përfshi gjithashtu në zonën ku gjatë verës u arrit kategoria “stres shumë i fortë nga nxehtësia”. Copernicus e klasifikon këtë nivel kur indeksi UTCI, i cili mat temperaturën e perceptuar duke marrë parasysh temperaturën, lagështinë, erën dhe rrezatimin diellor, arrin 38-46°C. Kjo nuk është temperatura e matur e ajrit, por niveli i nxehtësisë që përjeton trupi i njeriut. Në të gjithë Europën, vera e vitit 2026 ishte 1.17°C më e ngrohtë se mesatarja 1991-2020, duke u renditur si vera e tretë më e ngrohtë në të dhënat ERA5, pas viteve 2024 dhe 2022. Temperaturat verore ishin shumë më të larta se mesatarja në 41% të territorit europian, ndërsa 22% e sipërfaqes regjistroi rekorde sezonale. Për Shqipërinë, situata me reshjet nuk ishte e njëjtë gjatë të tre muajve. Hartat tregojnë një tablo më të përzier në fillim të verës, ndërsa gushti shfaqet dukshëm më i thatë, me pjesë të vendit në kategoritë e reshjeve nën ose shumë nën mesatare.
Copernicus vëren se në gusht deficitet më të forta të reshjeve dhe të lagështisë së tokës u përqendruan në Europën Juglindore dhe se lagështia e tokës ra në nivele rekord në një pjesë të madhe të Ballkanit.
Edhe harta e lagështisë sipërfaqësore të tokës tregon përkeqësim në Ballkan gjatë pjesës së fundit të verës, me zona të Shqipërisë që kalojnë në kategoritë më të thata se mesatarja.
Treguesi i thatësirës i përdorur nga Copernicus kombinon reshjet me humbjen potenciale të ujit nga temperaturat e larta, duke e krahasuar situatën me periudhën 1991-2020.
Publikimi “Vera europiane 2026: Rekorde, ekstreme dhe konteksti” i Shërbimit të Copernicus për Ndryshimet Klimatike (C3S) përmbledh kushtet klimatike që karakterizuan Europën gjatë verës 2026, me fokus te temperaturat, valët e të nxehtit, thatësira, lagështia e tokës, prurjet e lumenjve dhe zjarret.
Sipas raportit, vera 2026 u karakterizua nga nxehtësi e pazakontë dhe e zgjatur në pjesën më të madhe të kontinentit, e shoqëruar me kushte të thata, prurje të ulëta të lumenjve dhe aktivitet të shtuar të zjarreve.
Në Europë, temperatura mesatare e verës ishte 1.17°C mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke e renditur atë si verën e tretë më të ngrohtë të regjistruar në serinë e të dhënave ERA5./ Monitor © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

