Ish-deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme për seancën e gjykimit me themel të dosjes “Meta”.
Para hyrjes në GJKKO, Kryemadhi është pyetur nga gazetarët për një koment mbi publikimin e videove intime në rrjet.
Kryemadhi tha se e dënon me forcë publikimin e videove, ndërsa shtoi se është shqetësuese që njerëzit ndihen më të “dhunuar” nga nxjerrja e këtyre videove sesa nga fenomene që prekin shoqërinë tonë, si shpopullimi apo taksat e larta. “Përveçse ndjenjës të shëmtuar që më la, për shkak të viktimave të atyre videove, të gjithë atyre grave apo vajzave, ai që i ka regjistruar dhe i ka shpërndarë ka bërë një veprim të ulët që unë e dënoj me forcë.
Ajo që dua të them është që nuk ka çfarë i duhet asnjërit se çfarë bën një njeri në dhomën e vet të gjumit apo me jetën e vet private dhe tjetra është mënyra sesi ne po fillojmë dhe po gjykojmë situatën dhe problematikën shoqërore të shoqërisë tonë është e tmerrshme.
Të ndihesh më i dhunuar nga një video porno që shikon se sa nga taksat e larta, nga mungesat e punës, nga shpopullimi është një fatkeqësi e madhe dhe për mua është fatkeqësi kombëtare. Jap atë ndjenjë dhimbje për gratë dhe viktimat e atyre filmimeve dhe ndjej neveri për ata që e kanë bërë atë gjë”, u shpreh Kryemadhi. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

