Lajme Zone
Vengu kundër vendimit të Gjykatës Speciale: “Strehë e padrejtësisë”, kërkon rrëzimin e dënimeve në apel
PolitikëEuronews Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 11 burime — Krahaso mbulimin →

Vengu kundër vendimit të Gjykatës Speciale: “Strehë e padrejtësisë”, kërkon rrëzimin e dënimeve në apel

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim për krime lufte. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vengu e cilëson vendimin për krijimin e Gjykatës Speciale si të gabuar dhe shprehet se kjo gjykatë është kthyer, sipas tij, në “strehë të padrejtësisë”. “Është tashmë e qartë për të gjithë se sa i gabuar ishte vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila sot u bë streha e padrejtësisë”, shkruan Vengu. Deputeti socialist kundërshton gjithashtu faktin që vendimi është dhënë nga një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës. “Ishte rrëqethëse t’i dëgjoje këto dënime të shqiptoheshin ‘në emër të popullit të Kosovës’. Një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës dhe pa gjyqtarë nga Kosova përdori emrin e popullit të saj për të dënuar luftëtarët e pavarësisë sonë të dytë”, shprehet ai. Vengu e vendos vendimin në kontekstin e luftës së Kosovës, duke argumentuar se Kosova ishte viktima, Serbia e Millosheviçit agresori, ndërsa UÇK-ja luftoi për liri. Ai përmend gjithashtu ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund spastrimit etnik. Në reagimin e tij, deputeti i PS-së shprehet në mbështetje të katër të dënuarve dhe familjeve të tyre, ndërsa kërkon që vendimi të kundërshtohet në procesin e apelimit. “Këto dënime duhet të rrëzohen në apel. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, duhet të ndërmarrin çdo hap të mundshëm ligjor dhe institucional”, shkruan Vengu. Ai thekson se mbështetja ndaj Perëndimit nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë asaj që e konsideron padrejtësi. “Besnikëria jonë ndaj Perëndimit nuk kërkon heshtje përballë padrejtësisë. Ajo kërkon besnikëri ndaj vetë parimeve mbi të cilat Perëndimi është ngritur: lirisë, barazisë dhe drejtësisë”, shprehet Vengu. Në përfundim, ai deklaron: “Historia e shqiptarëve nuk mund të falsifikohet në sallat e gjyqit”.