Bashkimi Europian, si një nga mbështetësit kryesorë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka kërkuar respektimin e vendimit që do të merret ndaj katër të akuzuarve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. “Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thonë nga Brukseli. BE potencoi mbështetjen e kahershme të saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) si “një institucion gjyqësor i pavarur”, ndërsa rikujtoi se është “themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015”. LEXO EDHE:Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Rama: Farsa është në ditët e fundit, lirinë s’ia merr dot askush “Parlamenti i Kosovës (përmes një amendamenti kushtetues) autorizoi zhvendosjen e procedurave në Hagë, për të ndihmuar në garantimin e procedurave gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta në lidhje me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”. Por, BE’ja vë në pah se vendimi i 16 shtatorit nuk është fundi i procesit gjyqësor dhe se ai mund të apelohet nga të dyja palët. “Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”. Në fund, Bashkimi Europian thotë se “puna e Dhomave të Specializuara të Kosovës është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës”. Në mbrojtje të katër ish-krerëve të UÇK’së në Prishtinë sot do të nisë një marsh paqësor nga ora 14:00 ku pritet të vijnë qytetarë nga e gjithë Kosova. Kërkesa e tyre është drejtësia për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin. Ndërkohë, i gjithë procesi gjyqësor në Hagë është përcjellë me kritika nga Kosova për punën e Gjykatës Speciale, duke e quajtur atë si të njëanshme. Aktakuza e Prokurorit të Specializuar përmban 10 pika ndaj katërshes, gjashtë prej të cilave janë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Në fillim të këtij viti ZPS kishte kërkuar nga 45 vjet burgim për të akuzuarit. Specialja ishte formuar në vitin 2015, ndërsa kishte nisur të operojë nga vitet 2016-2017 pas shkëmbimeve të letrave Kosovë-BE, ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjes me Holandën për zhvendosjen e Dhomave të Specializuara atje. Formimi i saj kishte ardhur pas një presioni të madh ndërkombëtar dhe miqve më të mëdhenj të Kosovës, amerikanëve. Gjykata i ishte kërkuar gjatë vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry në dhjetor të vitit 2015. Ai kishte kërkuar “që Kosova të përmbushë angazhimin e saj për të krijuar një gjykatë speciale që mund të trajtojë çështjet që rrjedhin nga vite të tëra konflikti, në mënyrë që akuzat të mund të zgjidhen një herë e përgjithmonë dhe vendi të mund të pajtohet me të kaluarën”. Disa muaj më herët në korrik të 2015’ës, Victoria Nuland, Ndihmës Sekretare e Shtetit, pasi për herë të parë Specialja s’kishte marrë aprovimin e Parlamentit kishte qenë edhe më eksplicite. “Nëse nuk e krijoni ju vetë këtë gjykatë, nëse nuk ndërmerrni vetë hapat tuaj për drejtësi, nëse nuk ndërmerrni vetë hapat tuaj për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës, atëherë komuniteti ndërkombëtar do ta bëjë këtë në vendin tuaj”, kishte thënë ajo./Express Xh.K/Shqiptarja.com TAG: hagë hashim thaci uck Jakup Krasniqi rexhep selimi kadri veseli Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.8% Magjistratëve 16% Nuk e di 6.2% Vota total: 5592 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

