Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të Top Channel, kreu i FSHF-së vlerëson punën e trajnerit Rolando Maran, shpreh kënaqësinë për ndryshimin e lojës së kuqezinjve, por evidenton edhe një mangësi në këtë edicion: aktivizimin e pamjaftueshëm të futbollistëve të rinj. Duka nuk e cilëson vendin e parë në grup si një sukses të jashtëzakonshëm, por si përmbushje të objektivit të vendosur. Ai falënderon futbollistët, stafin dhe tifozët për mbështetjen, duke kujtuar edhe ndeshjen me San Marinon, ku pavarësisht pritshmërive për një interes më të ulët, mbështetja nga tribunat vazhdoi deri në fund. Megjithatë, presidenti i FSHF-së mendon se stafi teknik mund të kishte shfrytëzuar më shumë këtë edicion për të provuar lojtarë të rinj, në mënyrë që Shqipëria të kishte alternativa shtesë për kualifikueset e ardhshme të Europianit.
“Objektiv i realizuar, por jo një sukses i jashtëzakonshëm”
Duka e konsideron Ligën e Kombeve një edicion të suksesshëm, pasi Kombëtarja arriti objektivin për të përfunduar në vendin e parë. Ai falënderon lojtarët, stafin dhe tifozët për përkushtimin, por pranon se mund të ishte bërë më shumë në drejtim të aktivizimit të futbollistëve të rinj.
“Objektiv i realizuar, se sa i mirë, por jo një sukses i jashtëzakonshëm. A ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë? Padyshim. Ajo që mendoj që mund të ishte bërë më mirë, mund të kishte mbase një aktivizim më shumë të futbollistëve më të rinj, më me pak eksperiencë, për të përgatitur një numër më të madh zgjedhjesh për kualifikueset e Europianit.”
“Me fillimin e ndeshjeve zyrtare gjërat ndryshuan”
Emërimi i Rolando Maranit nuk u shoqërua fillimisht me shumë entuziazëm. Dy ndeshjet e para miqësore ngritën pikëpyetje edhe për vetë presidentin e FSHF-së, i cili pranon se në atë moment kishte dyshime nëse trajneri italian do të arrinte ta çonte përpara projektin e tij. Situata ndryshoi me nisjen e ndeshjeve zyrtare, kur Shqipëria tregoi një futboll më të mirë, më agresiv dhe më sulmues.
“Emërimi i trajnerit aktual të ekipit kombëtar, Maran, është menduar mbase jo si zgjedhje duhet në fillim dhe paraqitja e ekipit në dy ndeshjet e para miqësore ka vënë pikëpyetje edhe mbi mua, si edhe mbi të gjithë ata që kanë parë ndeshjen miqësore, mbase dhe mbi vetë trajnerin, nëse vërtet mund ta çojë përpara këtë projekt. Por rezultoi që me fillimin e ndeshjeve zyrtare gjërat ndryshuan. Ekipi vërtet pati një paraqitje të mirë, një futboll më të mirë.”
Duka thekson se besimi te Marani nuk ishte rastësor dhe se ai e kishte shprehur që në ditën e parë bindjen se Shqipëria do të luante një futboll më të bukur dhe më ofensiv.
“E kam thënë që ditën e parë që pavarësisht rezultatit që nuk vjen gjithmonë, jam i sigurt që me këtë trajner ne do shohim një futboll të bukur. Do shohim një Shqipëri më agresive dhe më sulmuese apo ofensive. Dhe besoj këtë e kemi parë gjatë edicionit.”
“Më shumë të rinj mbase mund të kishin futur”
Një nga pikat ku presidenti i FSHF-së mendon se Kombëtarja mund të kishte bërë më mirë është aktivizimi i futbollistëve të rinj. Shqipëria, sipas tij, ndodhet në një moment tranzicioni, pasi disa prej lojtarëve që për vite me radhë kanë qenë liderë të skuadrës janë në një fazë më të avancuar të karrierës. Për këtë arsye, Duka mendon se duhej t’u jepej më shumë hapësirë alternativave të reja, duke përmendur në mënyrë të veçantë futbollistët e ekipeve U21 dhe U19.
“E thashë dhe në fillim. Më shumë të rinj mbase mund të kishin futur, dhe ne kemi realisht futbollista të rinj vërtet me kualitet shumë të mirë si në ekipin kombëtar të 21-vjeçarëve, po edhe në ekipin kombëtar të 19-vjeçarëve, të cilët bënë një paraqitje shumë të mirë në kualifikuese të Europianit në Qipro me dy fitore nga katër me zero. Kështu që mbase mund të ishin afruar këto emra, po thashë, siç thashë, për të pasur më shumë alternativa për të ardhmen.”
Megjithatë, Duka nuk e sheh si problem moshën e futbollistëve që vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës. Për sa kohë kanë mundësi të kontribuojnë, ata duhet të vazhdojnë të jenë pjesë e Kombëtares.
“Nuk është se më shqetëson fakti që disa nga futbollistët janë në një moshë, mbase domethënë relativisht të madhe për futboll. Por në ekip kombëtar për sa ke mundësi, për sa ke, le të themi, fuqi për të kontribuar, duhet të vazhdosh. Dhe ata pavarësisht moshës, po kontribuojnë në mënyrë fantastike.”
“Kemi pasur rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare”
Në fund të intervistës, kreu i FSHF-së ndalet te rezultatet e të gjitha ekipeve kombëtare gjatë muajit nëntor, të cilin e cilëson një periudhë shumë pozitive për futbollin shqiptar. Nga U15, që mori pjesë në Festivalin Botëror në Azerbajxhan, te U17 dhe U19, Duka veçon rezultatet e arritura në këtë periudhë. Përfaqësuesja U15 fitoi tetë nga nëntë ndeshjet dhe u rendit në vendin e 17-të mes 181 skuadrave pjesëmarrëse. Ndërkohë, U19 regjistroi dy fitore bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe Armenisë, ndërsa U17 siguroi kualifikimin në Elite Round.
“Jo, jo miqësore, kjo në fakt kemi pasur rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare në nëntor. Pothuajse i kemi fituar të gjitha, duke filluar që nga festivali botëror i 15-vjeçarëve në Azerbajxhan, ku ekipi i 15-vjeçarëve nga nëntë ndeshje fitoi tetë dhe nga 181 skuadra u rendit e 17-ta. Ekipi i 19-vjeçarëve fitoi dy ndeshjet e kualifikueseve kundër Qipros dhe Armenisë me rezultat bindës nga 4-0. 17-vjeçarët gjithashtu janë kualifikuar për në Elite Round, kështu që vërtet kanë qenë rezultate të mira që na kanë kënaqur të gjithëve dhe na kanë bërë që të jetojmë një nëntor të bukur.” Top Channel

