Ky është paralajmërimi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të Top Channel ka shpalosur kundërshtitë dhe propozimet konkrete të FSHF-së për projektligjin që po diskutohet. Kreu i futbollit shqiptar e vlerëson si një hap pozitiv faktin që pas më shumë se 10 vitesh diskutimesh, ligji ka mbërritur në tryezën e institucioneve, por kërkon ndërhyrje të rëndësishme përpara miratimit përfundimtar. Sipas tij, kufiri prej 2 miliardë lekësh është shumë i ulët dhe duhet të pesëfishohet, ndërsa kontrolli i sponsorizimeve nga institucionet shtetërore nuk duhet të kthehet në një pengesë paraprake për financimin.
Duka ngre gjithashtu shqetësimin se projektligji nuk garanton se sa para do të shkojnë konkretisht për futbollin dhe infrastrukturën sportive. Për ta ilustruar këtë, ai sjell edhe koston e ndërtimit të një fushe futbolli, që sipas tij arrin në rreth 400 mijë euro. Në argumentet e tij, presidenti i FSHF-së zbulon edhe një shifër domethënëse: ndikimi i sportit në ekonominë shqiptare arrin afërsisht 70 milionë euro në vit. Për këtë arsye, ai kërkon që një pjesë e kësaj vlere t’i rikthehet sportit, nëpërmjet investimeve për fëmijët, fushat dhe palestrat.
“Ligji duhet të jetë funksional, nuk duhet të pranojnë nëse ka hile nga burokratët”
Prej më shumë se një dekade, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon ndryshime ligjore që do të ndihmonin zhvillimin e sportit në vend. Armand Duka e konsideron pozitiv faktin që projektligji i sponsorizimit dhe donacioneve është tashmë në diskutim parlamentar dhe vlerëson mbështetjen që ka marrë nga përfaqësues të krahëve të ndryshëm politikë.
Megjithatë, ai kërkon që nisma të mos mbetet vetëm një hap formal, por të shndërrohet në një mekanizëm që funksionon realisht për sportin. Në këtë pikë, Duka ngre edhe shqetësimin për ndërhyrjet e mundshme burokratike në draftin aktual.
“Por tashmë ky ligj, nëse kemi sensin pozitiv, duhet ta bëjmë funksional. Ne kemi vërejtje për atë ligj. Edhe ata që kanë sensin pozitiv, që kanë diskutuar në komision parlamentar me shumë dashuri kryesisht për futbollin, duhet të mendojnë se si të jetë funksional dhe jo si përfaqësor. Nuk duhet të pranojnë nëse ka hile në thonjëza nga dikastere, ministri apo burokratë të aparatit shtetëror.”
Një nga kundërshtitë kryesore të presidentit të FSHF-së lidhet me mënyrën se si duhet të funksionojë sponsorizimi. Sipas tij, biznesi duhet të ketë mundësi të financojë sportin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e konsideruar këtë financim si një alternativë për pagesën e tatimit dhe jo si një kosto shtesë.
“E para: ligji dhe objektivi është që biznesi dhe sporti, apo biznesi dhe arti, në mënyrë të pavarur të krijojnë një marrëdhënie për të ndihmuar zhvillimin e sportit, por si një pagesë alternative e tatimit dhe jo si një shpenzim për biznesin. Ligji duhet të thotë në mënyrë taksative, eksplicite kështu siç po them, që kjo është një mënyrë alternative e pagesës së tatimit, që biznesi të jetë i sigurt për atë financim që jep.”
Një tjetër pikë ku Duka kërkon ndryshim është kontrolli institucional. Ai nuk kundërshton verifikimin e sponsorizimeve dhe zbatimin e kritereve ligjore, por kërkon që kjo të bëhet pasi financimi të jetë kryer dhe jo përpara tij. Sipas tij, klubet dhe bizneset nuk duhet të detyrohen të marrin autorizime paraprake nga ministria.
“Unë nuk them që të ketë anarshi; padyshim që këto duhen kontrolluar sipas kritereve që do vendosen, por pasi të ndodhi. Dhe jo më parë që të ketë nevojë për të shkuar për të marrë autorizim. Çfarë autorizimi do të kërkojë një klub futbolli që ky është një aktivitet publik? Dihet që Partizani është klub futbolli dhe aktivitet publik. Pse duhet të shkojë tek ministria sponsorizuesi dhe i sponsorizuari?”
Duka e argumenton kundërshtimin e tij duke sjellë si shembull edhe mënyrën se si kontrollohen transaksionet në biznes, ku verifikimi bëhet pasi ato kryhen.
“Domethënë t’i heqim këto burokraci dhe të kontrollojmë zbatimin e ligjit në momentin që ndodh, siç kontrollojmë në çdo aktivitet tjetër. Edhe biznesi nuk kontrollohet para se të kryejë transaksionin financiar, por kontrollohet mbasi kryhet transaksioni financiar, nëse është në përputhje me ligjin apo jo. Kjo është shumë e rëndësishme. Se nëse kjo do jetë një gjë e komanduar dhe e kontrolluar nga aparati burokratik shtetëror, nuk kemi bërë asgjë.”
“2 miliardë lekë janë shumë pak”, FSHF kërkon pesëfishimin e fondit
Kritika më e fortë e presidentit të FSHF-së lidhet me kufirin financiar të parashikuar në projektligj. Duka e konsideron shumën prej 2 miliardë lekësh të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e sportit dhe artit në Shqipëri. Ai thekson se ky fond duhet të jetë pesë herë më i lartë dhe sjell si shembull edhe klubet e vogla, të cilat mund të mbeten pa mundësi financimi nëse shuma e parashikuar shterohet.
“E dyta dhe shumë e rëndësishme: ligji parashikon që të vërë një limit, dhe limiti është jashtëzakonisht shumë i vogël, 2 miliardë lekë. Ç’do bëjë i gjithë sporti dhe arti me 2 miliardë lekë? Dhe pastaj, kur ky 2 miliardë lekë fillon dhe shpërndahet, kur të shkojë klubi i Ersekës për t’u sponsorizuar, do ta gjejë zero. Nuk është e rëndësishme vetëm një klub profesionist, Tirana, Partizani, Dinamo apo Teuta; është i rëndësishëm i gjithë futbolli shqiptar, të gjitha akademitë.”
Krahas rritjes së fondit, Duka kërkon që ligji të përcaktojë qartë edhe një pjesë të garantuar të sponsorizimeve për infrastrukturën sportive. Ai sjell si shembull koston e ndërtimit të një fushe futbolli dhe ngre pikëpyetjen se çfarë investimesh konkrete mund të realizohen me shumën aktuale.
“Kështu që ne kërkojmë që të ketë një limit shumë më të lartë, pesë herë më të lartë. Dhe ligji duhet të parashikojë që një pjesë e mirë e këtyre sponsorizimeve duhet të shkojnë për infrastrukturë. Çfarë infrastrukture sportive mund të bëjmë ne me 2 miliardë lekë gjithsej, kur nëse do t’i, sa do shkojnë te arti, sa do shkojnë te sportet e tjera? Me ato që do ngelen për futbollin nuk bëjnë dot një fushë futbolli, se një fushë futbolli kushton 400.000 euro.”
Presidenti i FSHF-së kërkon që futbolli të ketë një pjesë të sigurt të këtij mekanizmi dhe paralajmëron se, nëse nuk përcaktohen qartë destinacionet e fondeve, ato mund të përfjnë në aktivitete të tjera.
“Kështu që futbolli duhet të ketë një gjë të sigurt. Sa nga ky ligj, nga ky mekanizëm do të shkojnë për futbollin? Sepse po i lamë kështu, mbase do shkojnë për koncerte, për fushata elektorale e të tjera me radhë. Dhe ligji duhet të mendojë se si të funksionojë dhe jo se si të kontrollohet.”
“Një pjesë duhet t’i kthehet sportit”, ndikimi ekonomik arrin 70 milionë euro
Një tjetër argument i rëndësishëm që presidenti i FSHF-së përdor në mbështetje të kërkesave të tij është ndikimi ekonomik i sportit. Sipas shifrave që ai prezanton, aktiviteti sportiv gjeneron rreth 70 milionë euro ndikim në ekonominë shqiptare gjatë një viti. Duka kundërshton perceptimin se sporti kërkon thjesht të përfitojë para nga buxheti i shtetit dhe thekson se kërkesa është që një pjesë e kontributit të tij ekonomik të rikthehet për zhvillimin e sektorit.
“Ndikimi i sportit në ekonominë e vendit në një vit është afërsisht 70 milionë euro. Dhe unë nuk po kërkoj që futbolli t’i marrë nga buxheti këto 70 milionë euro, po të kthejë një pjesë të tyre. Dhe jo ta kthejë as për luks, as për kënaqësitë e kërkujt, po për të ardhmen, për futbollin e fëmijëve, për fushat, për palestrat e për gjithçka tjetër.”
Në këtë pikë, Duka i drejton edhe një thirrje Ministrisë së Financave që ta shohë sportin si një aktivitet me kontribut të konsiderueshëm ekonomik dhe jo si një sektor që kërkon të përfitojë nga buxheti i shtetit.
“Draftet janë ndryshe nga propozimet që ramë dakord në tavolinë”
Në fund të intervistës, kreu i FSHF-së konfirmon se Federata ka paraqitur propozime konkrete për ndryshimin e projektligjit, duke angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj për përshtatjen e tij. Megjithatë, Duka shpreh shqetësimin se drafti aktual nuk përputhet me propozimet për të cilat palët kishin diskutuar dhe rënë dakord gjatë konsultimeve.
“Padyshim që kemi kërkuar, kemi çuar ekspertët më të mirë të vendit dhe jashtë vendit për ta përshtatur ligjin. Draftet janë ndryshe nga propozimet që ramë dakord në tavolinë. Uroj që mos shkojë kështu deri në fund dhe të bëhet çfarë është më e mira për sportin.”
Mesazhi i presidentit të FSHF-së është i qartë: miratimi i ligjit është një hap pozitiv, por suksesi i tij do të matet nga mundësitë reale që do t’i japë sportit shqiptar për t’u financuar dhe zhvilluar, jo nga mekanizmat burokratikë që do ta shoqërojnë. Top Channel

