Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka bërë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha, duke i cilësuar si “vëllezër siamezë”. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Salianji deklaroi se pushteti që, sipas tij, përfaqësohet nga Rama dhe Berisha ka degraduar, ndërsa akuzoi kryeministrin se përdor presionin dhe frikën për të mbajtur nën kontroll kundërshtarët. Ai u shpreh se Partia Socialiste po përjeton një proces shkrirjeje dhe se ndryshimi në Shqipëri mund të vijë nga lëvizja studentore, të rinjtë dhe qytetarët që nuk kanë pasur kosto nga politika e vjetër. Salianji e krahasoi situatën edhe me zhvillimet në Serbi, duke përmendur presidentin Aleksandër Vuçiç dhe reagimet e tij përballë protestave. Sipas ish-deputetit, politika e vjetër ka frikë nga përfaqësuesit e rinj, ndërsa shtoi se Rama ka eliminuar nga skena politike figurat që mund ta rrezikonin. Gjatë intervistës, Salianji foli edhe për largimin e një milion shqiptarëve nga vendi, pasojat e politikave të ndjekura dhe rastin e Ilir Metës, të cilin e cilësoi si një tjetër personazh politik jashtë ndikimit të tyre. “Është degraduar pushteti që përfaqësohet nga Rama-Berisha. Ka një degradim të PS-së, se përveç frikës, që e mban me presione të gjyqësorit, se ky ua di dosjet, aty ka një shenjë degradimi të PS-së dhe po shkërmoqet. Është çështje afati që Rama të bjerë. Në Shqipëri e reja do të vijë nga lëvizja studentore, nga Flamingo dhe qytetarë që nuk kanë pasur kosto. Askush nuk e mendonte se do të binte nga pushteti një vit më parë Vuçiç. Tani ai qan dhe bën viktimën. Kështu janë autokratët. Nuk ka diskutim që politika e vjetër ka frikë nga e reja. Vëllezërit siamezë, Rama-Berisha, janë një kolonë, një shtyllë. Horror është situata këtu. Ka prodhuar largimin e 1 milion shqiptarëve, ka prodhuar kosto se s’ka ligj. Ju si grup mediatik e keni parë se çfarë pasojash keni mbajtur për shkak të linjës editoriale. Imagjino njerëzit që nuk kanë se ku të flasin. Ai nuk do asnjë njeri që e rrezikon. Ai ka djegur përfaqësuesit e rinj të PS-së. Njerëzit më të votuar, pse njerëzit janë budallenj? Unë jam i vetmi deputet i PD-së që nuk kam pasur asnjë pushtet dhe s’kam firmosur as për tendera apo për gjëra. Kam bërë beteja të forta dhe kam rrezikuar mes fushave me kanabis. Jam burgosur për shkak të fjalës dhe qëndrimit të lirë. Ka pasur ministra të akuzuar për korrupsion dhe njerëz që kanë bërë krime për narkotrafik kur ishin në opozitë, po si nuk pati pasoja për ta?! U eliminua dhe një personazh tjetër politik që nuk ka qenë në influencën e tyre, që është Ilir Meta.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Salianji
