Salvatore Borsellino, vëllai i gjyqtarit italian Paolo Borsellino, i vrarë nga mafia siciliane, ka folur në një intervistë ekskluzive telefonike nga Italia për “Now” me Thimi Samarxhin në Euronews. Ai u ndal edhe te vetëvrasja e ish-kreut të policisë italiane, De Gennaro, i cili ishte vënë nën hetim për dyshimet mbi pengimin dhe devijimin e hetimeve lidhur me atentatin mafioz ndaj vëllait të tij, gjyqtarit Paolo Borsellino. Sipas tij, vëmendja tashmë duhet të përqendrohet te dokumentet dhe letrat që De Gennaro ka lënë pas, përmbajtja e të cilave ende nuk është bërë publike. Borsellino theksoi se, duke pasur parasysh lidhjet e De Gennaros me shërbimet sekrete dhe rolin e tij me ndikim në historinë e Italisë, motivet e vetëvrasjes mbeten të paqarta, për sa kohë që nuk zbardhet përmbajtja e dokumenteve që ndodhen në duart e prokurorisë. Ai e përshkroi De Gennaron si një figurë komplekse dhe të fuqishme, që kishte bashkëpunuar me gjyqtarin Giovanni Falcone në çështje të rëndësishme, si dhe kishte qenë i përfshirë në menaxhimin e situatës gjatë samitit të G8-s në Gjenova, ku pati përplasje të dhunshme. “Lajmi është se De Gennaro ka lënë disa letra, të cilat ende nuk janë publikuar.Duhet parë se çfarë letrash ka në duar prokuroria. Fakti që ka vrarë veten është i pazakontë, pasi nuk ishte një njeri që dekurajohej dhe të ndërmerrte një akt të tillë. Sigurisht, duhet të ketë diçka shumë të madhe pas kësaj. Derisa të dalin këto letra, sidomos ajo që ai ka lënë posaçërisht për organet e informimit, do të jetë shumë e vështirë të kuptohet motivi. Ai ishte një personazh shumë kompleks, që ka ndikuar në historinë e Italisë dhe ka qenë një figurë shumë e fortë. Deri sa të bëhen publike letrat dhe mesazhet që ka lënë, do të jetë e vështirë të kuptohet se çfarë ka ndodhur”, tha ai. Salvatore Borsellino foli gjithashtu për takimin mes vëllait të tij, Paolo Borsellino, dhe De Gennaros, pak para vrasjes së gjyqtarit. Ai tha se nuk ka asnjë informacion apo element që të ndihmojë për të kuptuar se çfarë kanë diskutuar të dy. “Sa i përket takimit mes Paolos dhe De Gennaros, pak përpara se të vdiste, nuk dihet asgjë. Nuk kemi asnjë element për të kuptuar se çfarë kanë komunikuar ata me njëri-tjetrin.” Në intervistën për Euronews, vëllai i gjyqtarit të vrarë u shpreh pesimist edhe për zbardhjen e së vërtetës mbi atentatin mafioz që i mori jetën Paolo Borsellinos 34 vite më parë. Ai tha se prej dekadash kërkon të zbulojë rrethanat e plota të vrasjes, por sipas tij, procesi është shoqëruar vazhdimisht me pengesa dhe devijim të hetimeve. Salvatore Borsellino shprehu gjithashtu zhgënjimin për zhvillimet e fundit, duke thënë se kishte pasur shpresa te prokuroria, ndërsa tani pret që dokumentet e lëna nga De Gennaro të mund të hedhin dritë mbi ngjarjen. “Është jashtëzakonisht e vështirë që të dalë dhe të kuptohet se çfarë ka ndodhur realisht në vrasjen e vëllait tim. Unë e kam humbur shpresën për daljen e së vërtetës. Ka personazhe të nivelit të lartë të Italisë të përfshirë në këtë çështje dhe deri në momentin që këta njerëz të jenë gjallë, është e vështirë që e vërteta të dalë në dritë. Unë kisha shumë shpresë te prokuroria, por tani, me këto që ndodhën, nuk e di. Kam shpresë që dokumentet që ka lënë De Gennaro para se të vdiste të mund të ndihmojnë”, tha Salvatore Borsellino. Ai shtoi se kanë kaluar 34 vite nga vrasja e të vëllait dhe se, pavarësisht përpjekjeve të tij për të zbardhur ngjarjen, e vërteta vijon të mbetet e fshehur. “Kanë kaluar 34 vite që kur kanë vrarë vëllain tim dhe 34 vite që unë përpiqem të gjej të vërtetën. Në vend që të dalin elemente të reja, vazhdojnë devijimet e hetimeve. Për sa kohë të ekzistojnë këta njerëz, që kanë kufizuar fuqinë në shtetin tonë, është shumë e vështirë të kemi një të vërtetë historike. Mbase një të vërtetë profesionale nuk do ta kemi kurrë”, u shpreh Borsellino. Kujtojmë se Paolo Borsellino u vra më 19 korrik 1992, në një atentat me autobombë të organizuar nga mafia siciliane, Cosa Nostra, në rrugën Via D’Amelio në Palermo. Vetëm 57 ditë më parë ishte vrarë edhe gjyqtari Giovanni Falcone. Një automjet tip “Fiat 126”, i mbushur me eksploziv TNT, shpërtheu në momentin kur Borsellino mbërriti pranë banesës së nënës së tij. Nga atentati humbën jetën gjyqtari dhe pesë efektivë të eskortës së tij. Çfarë ndodhi në takimin e fundit mes Borsellinos dhe De Gennaros? Jep detaje ish-prokurori Ingroia
