Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar për mënyrën e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, duke e shprehur si problematikë që lidhet me transparencën e vendimmarrjes, kufizimin e komunikimeve, kujdesin shëndetësor dhe kushtet e trajtimit. Në deklaratë, Komiteti thekson se urdhri i transferimit nuk i është vënë në dispozicion të paraburgosurit dhe se nuk është sqaruar baza ligjore e klasifikimit të këtij urdhri në interes të sigurisë kombëtare. Reagimi i plotë: Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të pretendimeve të bëra publike nga i paraburgosuri Z. Erion Veliaj lidhur me transferimin e tij nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës në IEVP Fier, zhvilloi më 30 tetor 2026 një mision monitorimi për verifikimin e procedurave të ndjekura dhe kushteve të trajtimit të tij. Gjatë monitorimit, përfaqësuesi i KShH-së zhvilloi një takim konfidencial me të paraburgosurin, inspektoi mjediset ku ai ishte vendosur dhe u takua me drejtuesit dhe personelin përgjegjës të IEVP Fier. Nga monitorimi rezultuan problematika që ngrenë shqetësime për respektimin e garancive ligjore gjatë transferimit, transparencën e vendimmarrjes administrative, mundësinë e ushtrimit të së drejtës së ankimit, komunikimin me familjarët, vazhdimësinë e kujdesit shëndetësor dhe kushtet e trajtimit në paraburgim. KShH thekson se statusi i një personi si i paraburgosur nuk e zhvesh atë nga të drejtat që nuk i janë kufizuar me ligj ose me vendim gjyqësor.Autoritetet penitenciare kanë detyrimin t’i garantojnë këto të drejta pa diskriminim, pavarësisht identitetit, funksionit publik apo akuzave me të cilat përballet. 1. Transferimi me një urdhër të klasifikuar dhe pengesat për ankimin efektiv Një nga gjetjet më shqetësuese të monitorimit lidhet me mungesën e komunikimit të urdhrit të transferimit dhe të arsyeve konkrete që e kanë diktuar këtë vendim. Sipas deklarimeve të të paraburgosurit, transferimi iu njoftua më 28 tetor, pa iu vënë në dispozicion dokumentacioni përkatës dhe pa iu shpjeguar fillimisht as institucioni ku do të dërgohej. Monitoruesi i KShH-së arriti të këqyrë për një kohë të kufizuar urdhrin e transferimit, në të cilin motivi shënohej në mënyrë të përgjithshme, “për arsye sigurie”, ndërsa dokumenti mbante klasifikimin “i kufizuar”, me afat deri në dy vjet. KShH vlerëson se transferimi për arsye sigurie është një masë e parashikuar nga legjislacioni, por përdorimi i saj duhet të mbështetet në rrethana konkrete, të dokumentuara dhe të verifikueshme. Nga shqyrtimi paraprak i kuadrit ligjor, veçanërisht i ligjit nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”, nuk rezulton e qartë baza konkrete që justifikon klasifikimin e këtij urdhri në interes të sigurisë kombëtare. Siguria e një institucioni penitenciar dhe siguria kombëtare nuk janë domosdoshmërisht koncepte të barasvlershme.
