Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila nuk ka legjitimuar kërkesën e tij lidhur me emërimin e prokurorit Olsi Dado. Veliaj ka shpërndarë në rrjetet sociale reagimin e avokatit të tij, Plarent Ndreca, i cili pretendon se gjykata nuk e ka shqyrtuar në themel padinë ku kërkohej të shqyrtohej nëse Olsi Dado ishte emëruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të ushtruar funksionin e prokurorit. “Sot u provua ajo që ne kishim paralajmëruar më parë: gjykata refuzoi t’i nënshtrojë shqyrtimit gjyqësor. Padia jonë nuk u rrëzua. Ajo nuk u lejua të shqyrtohej”, shkruan avokati. Ndreca pretendon se gjykata i ka mohuar Veliajt dhe Bashkisë së Tiranës aksesin efektiv në drejtësi, duke argumentuar se ata nuk kanë interes të ligjshëm për të kërkuar kontrollin e ligjshmërisë së emërimit të një funksionari shtetëror. “Po nëse nuk ka interes të ligjshëm personi ndaj të cilit janë ushtruar përgjime, kontrolle, sekuestrime, masa sigurimi dhe kufizime të lirisë personale, atëherë kush e ka?”, shprehet Ndreca. Ai shton se ky vendim, sipas tij, krijon një situatë ku qytetarët nuk do të mund të kërkonin verifikimin e ligjshmërisë së funksionarëve që ushtrojnë kompetenca ndaj tyre. Në reagim, avokati deklaron se do të vijojë betejën ligjore, duke e cilësuar çështjen si një debat më të gjerë mbi kontrollin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve të drejtësisë. “Nuk është më vetëm çështja e një prokurori. Është çështja që do të tregojë se çfarë drejtësie ka zgjedhur të ndërtojë Republika e Shqipërisë: një drejtësi që pranon të kontrollojë edhe veten, apo një drejtësi që pretendon të jetë mbi çdo kontroll kushtetues”, përfn reagimi i avokatit Plarent Ndreca. Gjykata Administrative rrëzon padinë e Veliajt për prokurorin Ols Dado, nuk legjitimohet kërkesa

