Anëtari socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Halit Valteri, argumentoi se Erion Veliaj duhet të lirohet nga paraburgimi, pasi sipas tij, hetimet janë mbyllur prej rreth një viti dhe nuk ekziston më mundësia që kryebashkiaku të ndërhyjë në prova. Në studion e “Shqipëria Live”, Valteri ngriti pikëpyetje mbi arsyet e vijimit të masës së arrestit me burg ndaj Veliajt.
“Ka një vit që është mbyllur hetimi. Çfarë provash do të prishte këtë vit që është mbyllur hetimi? Çfarë e bën një prokuror ta persekutojë tjetrin?”, deklaroi Valteri.
Ai bëri edhe një krahasim me raste të personave të akuzuar për krime të rënda, duke pretenduar se ndaj Veliajt është vepruar me një standard tjetër.
“Krimineli që akuzohet për 4-5 vrasje iku me vrap, ndërsa Veliajt i futen 30 policë në sallën e operacionit. Pra, ka persona që janë të investuar që Veliaj të rrijë në burg”, tha Valteri.
Valteri iu referua në fund edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se mosreflektimi i tij në vijimin e çështjes do të ishte, sipas tij, një goditje për drejtësinë.
“Fundi i drejtësisë do të ishte nëse nesër nuk do të zbatohej rekomandimi i Kushtetueses që thotë se Tiranës i duhet kryebashkiaku”, tha Valteri
Pjesën tjetër të argumentit të tij ai e lidhi me gjendjen e kryeqytetit dhe funksionimin e administratës bashkiake. Sipas Valterit, mungesa e Veliajt është reflektuar në pastrimin, mirëmbajtjen e rrugëve dhe në vendimmarrjen për investimet.
“Sot Tirana është më e pisët, pa rrugë, Drejtoria e rrugëve fle gjumë. Drejtoria e pastrimit të Tiranës është më e dështuara. Administrata e bashkisë ka zero komunikim me këshillin sepse ata që u shkarkuan punonin për interesat e tyre dhe jo të qytetarëve. Drejtorë pa identitet, pa pikë kontributi që nuk njiheshin në komunitet. Vendoseshin për të miratuar buxhetin. Kush do t’i drejtonte, Anuela. Nëse je tapë nuk ke si drejton mbledhje këshilli. Prandaj them që nëse nuk kthehet Veliaj kanë prekur qytetarët që e kanë votuar.
Do guxim vendimmarrja, kush do ta marri vendimin për investimin për shembull në zonën e Kasharit, që kemi vetëm 30 minuta ujë. Dhe për sa kohë që nuk është dikush për të marrë vendimin, nuk bëhet dot. Drejtori i ujësjellësit, me gjithë respektin që kam për të, nuk mund ta marrë i vetëm këtë vendim.
Rrugës për në Top Channel, bën makina sikur je në xhungël, jo në Tiranë, e keni parë dhe vetë. Për sa kohë kemi njerëz të korruptuar dhe të paaftë dhe që kanë dezertuar punën në bashki, duhet të kemi patjetër dorë të fortë që t’i largojë” , përfi Valteri. Top Channel

