Këshilltari i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Jonathan Pano, ka kritikuar ashpër drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se Erion Veliaj duhet të ishte larguar prej kohësh nga detyra. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Pano e cilësoi Veliajn si rrezik për institucionin dhe kujtoi protestat e zhvilluara nga opozita për largimin e tij. Ai u ndal edhe te ndryshimet e shpeshta në drejtimin e bashkisë, duke thënë se nënkryetarët po zëvendësohen çdo javë. Pano bëri të ditur se ka dërguar një shkresë në Këshillin Bashkiak dhe në Bashkinë e Tiranës lidhur me ndërhyrjet në trotuaret e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Sipas tij, bulevardi është shpallur monument kulture në vitin 2000, ndërsa aktualisht po hiqen gurët e trotuareve me eskavatorë, me një urdhër që ai ia atribuon kryeministrit Edi Rama. Pano e cilësoi këtë ndërhyrje si shkatërrim të pronës publike dhe të një monumenti kulture. “Veliaj duhet të kishte ikur me kohë. Ai është rrezik për Bashkinë e Tiranës. Ne kemi bërë protesta me radhë për largimin e tij. Këtu po ndryshohen çdo javë nënkryetarët. Gjithsesi, kam dërguar një shkresë në Këshillin Bashkiak dhe në bashki sa i përket shkatërrimit të trotuareve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Në vitin 2000, bulevardi është shpallur monument kulture. Ndërkohë shikojmë se, me një urdhër nga Edi Rama, dalin eskavatorët që heqin gurët e trotuarit. Kemi shkatërrim të pronës publike, të monumentit të kulturës. Nuk na intereson lufta Rama-Veliaj, po luftojnë për klanet e tyre. Ne si këshilltarë dhe si PD kemi nevojë të japim alternativën tonë dhe do ta bëjmë”, deklaroi Pano. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
