Lajme Zone
Vdes prapa hekurave arkitekti i masakrës së Srebrenicës Ratko Mlladiç, 'Kasapi i Bosnjes' u dënua me burg të përjetshëm për genocidin më të tmerrshëm që pas Luftës së Dytë Botërore
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Vdes prapa hekurave arkitekti i masakrës së Srebrenicës Ratko Mlladiç, 'Kasapi i Bosnjes' u dënua me burg të përjetshëm për genocidin më të tmerrshëm që pas Luftës së Dytë Botërore

I njohur si “kasapi i Bosnjës”, Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në vitin 2021, Gjykata e OKB-së konfirmoi përfundimisht dënimin e kriminelit të luftës

Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Republikës Sërpska. Ai vdiq një ditë pasi gjykata ia hodhi poshtë kërkesën për lirim të përkohshëm nga burgu për arsye shëndetësore, LEXO EDHE:Vrau veten me pistoletën e të atit! Historia e vdekjes së vajzës së Ratko Mlladiçit që vazhdon të ngjallë pikëpyetje 32 vjet më vonë Kush ishte “kasapi i Bosnjës”, Ratko Mlladiç? Mlladiç ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë. I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000. Mlladiç po ashtu u shpall përgjegjës nga Tribunali edhe për rrethimin dhe bombardimin e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë – një krim kundër njerëzimit që sipas gjykatës ndërkombëtare rezultoi me vdekjen e 4.548 ushtarëve boshnjakë dhe 4.954 civilëve. Vlerësohet se po ashtu 50.000 persona ishin plagosur gjatë rrethimit. Tribunali i Hagës gjeti po ashtu presidentin e kohës së luftës në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, se kishte ndërmarrë politika që çuan në akte të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq Mlladiq, komandanti i tij kryesor i ushtrisë, sipas gjykatës, i kishte ekzekutuar këto plane. Mlladiç dhe Karaxhiç u akuzuan se kishin udhëhequr një zinxhir komandues mbi operacionet me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës nga joserbët, përmes torturës, frikësimit, dëbimeve të detyruara të popullsisë dhe vrasjeve masive. I cilësuar nga nacionalistët serbë dhe shumë serbë të Bosnjës si hero, Mlladiç komandoi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995, konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 100.000 persona. Tribunali i Hagës konstatoi se kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, Mlladiq dha urdhra të drejtpërdrejta që trupat serbe të Bosnjës të grumbullonin dhe të ekzekutonin burrat dhe djemtë boshnjakë, që po përpiqeshin të largoheshin nga zona. Gjykata po ashtu gjeti se forcat serbe të Bosnjës më pas tentuan të fshihnin dëshmitë e gjenocidit duke rivarrosur trupat e viktimave në varre masive, të shpërndara në zona të izoluara rurale përreth Srebrenicës. Gjenocidi në Srebrenicë ishte edhe më tronditës për shkak se qyteti ishte vlerësuar nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt për refugjatët, të cilët po iknin nga lufta në pjesë të tjera të Bosnjë e Hercegovinës. Trubunali tha se Mlladiç kishte udhëhequr rrethimin e Sarajevës, që nisi në prill të vitit 1992 dhe zgjati për më shumë se tre vjet. Në fakt, bllokada e Sarajevës nga trupa nën komandën e Mlladiçit zgjati nga prilli i vitit 1992 deri në shkurt të vitit 1996 – më shumë se dy muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës. Atëbotë, ky ishte rrethimi më i gjatë i një qyteti në luftën moderne. Karaxhiç u dënua për gjenocid më 2016, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë, dhe u dënua me 40 vjet burgim. Apeli i tij ndaj vendimit të gjykatës u refuzua në mars të vitit 2019 dhe dënimi iu rrit në burgim të përjetshëm. Mlladiç iu shmang arrestimit për 16 vjet me ndihmën e ushtrisë serbe, të aleatëve të tij të kohës së luftës dhe të familjes së tij. Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin Llazarevo, afër qytetit të Zrenjaninit në veri të Serbisë, pasi një informacion anonim iu dërgua Policisë nga dikush që kishte thënë se kishte parë një burrë që i përngjante në Mlladiqin. Nga nisja e gjykimit ndaj tij në maj të vitit 2012, Mlladiq u deklarua i pafajshëm. Në një moment në fillim të procesit gjyqësor, Mlladiq bëri me duar gjestin e prerjes së fytit duke iu drejtuar një nëne të një prej viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. “Mlladiç vuri në lëvizje, nën kontrollin e vartësve të tij oficerë, operacionin në shkallë të gjerë, të mirëorganizuar që la të vrarë shumë se 7.000 burra dhe djem brenda pak ditësh”, deklaroi prokurori i Tribunalit të Hagës, Dermot Groome gjatë gjykimit. “Krimet e kryera renditen në ndër më të tmerrshmet në historinë e njerëzimit dhe përfshijnë gjenocid dhe shfarosje, si krim kundër njerëzimit”, deklaroi gjyqtari kryesor Alphons Orie teksa lexoi përmbledhjen e vendimit ndaj Mlladiqit në nëntor të vitit 2017. “Shumë nga këta burra e djem u mallkuan, u ofenduan, u kërcënuan dhe u detyruan të këndonin këngë serbe dhe u rrahën teksa prisnin ekzekutimin e tyre”, tha Orie. Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Serge Brammertz, e cilësoi vendimin si “arritje të madhe” sepse ai e mbante përgjegjës Mlladiqin edhe për ndalimin e dhjetëra mijëra joserbëve në kampe ku shumë u rrahën e u përdhunuan, dhe po ashtu e mbante përgjegjës për zhvendosjen e mbi 1 milion personave në përpjekje për të rishkruar hartën demografike të Bosnjës. Mlladiç ishte larguar nga gjykatorja disa minuta para se të lexohej vendimi për shkak se ai kishte nisur të bërtiste me zemërim: “Gjithçka që ju keni thënë është gënjeshtër e pastër. Turp. Të gjitha janë gënjeshtra!”. Pas shpalljes së vendimit, viktimat dhe anëtarët e grupit të viktimave, Nënat e Srebrenicës, thanë se shpresonin që vendimi do të ndihmonte në pajtim, edhe pse shprehën keqardhje që Mlladiq nuk u shpall fajtor për të gjitha akuzat që u ngritën ndaj tij. Familjarët që humbën më të dashurit e tyre në gjenocidin në Srebrenicë thanë se nuk kishte një dënim të duhur për të ndëshkuar Mlladiqin. “Edhe nëse do të jetonte 1.000 herë dhe do të dënohej 1.000 herë me burgim të përjetshëm, drejtësia prapë nuk do të ishte vendosur”, u shpreh para shpalljes së vendimit, Ajsa Umiroviq, e cila humbi 42 të afërm në gjenocidin në Srebrenicë. Vendimi ndaj Mlladiqit ishte i fundit i shpallur nga Tribunali, i cili u themelua në Hagë më 1993 për të ndjekur krimet e kryera në luftërat në Ballkan në fillim të viteve ’90. Në qershor të vitit 2021, Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi apelin e dorëzuar nga Mlladiqi dhe konfirmoi vendimin për burgim të përjetshëm. Vitin e kaluar, Tribunali për krime të luftës i OKB-së refuzoi kërkesën e Mlladiç për lirim urgjent në Serbi për shkaqe shëndetësore. Në vendim, gjykata tha se gjendja e Mlladiqit, ndonëse e pasigurt, ishte e qëndrueshme dhe trajtimi i tij në burgun në Hagë ishte në një standard të pranueshëm. Mlladiç u lind më 12 mars 1942 në Kallinovik, që atëbotë ishte pjesë e Shtetit të Pavarur të Kroacisë – një shtet kukull i Gjermanisë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Mlladiç nisi karrierën e tij në Ushtrinë Popullore Jugosllave më 1965. Ai u bë figurë e njohur gjatë luftërave në Ballkan që shpërthyen pas shpërbërjes së Republikës Federative të Jugosllavisë./REL Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 15:46 Vrau veten me pistoletën e të atit! Historia e vdekjes së vajzës së Ratko Mlladiçit që vazhdon të ngjallë pikëpyetje 32 vjet më vonë Më 24 mars 1994, në kulmin e luftës në Bosnje, një tragjedi goditi familjen e Ratko Mlladiçit. Vajza e tij, Ana Mlladiç, studente 23-vjeçare e mjekësisë në Beograd, u gjet e vdekur pasi, sipas hetimit zyrtar, kishte qëlluar veten me një pistoletë Zastava 7.65 milimetra që i përkiste të atit.Arma kishte një vlerë të veçantë për Mlladiqin. Sipas biografëve të tij, ai e kishte marrë si dhuratë pas diplomimit në shkollën ushtarake dhe e konsideronte armën e tij të preferuar. Madje, thuhet se ishte betuar se do ta përdorte vetëm për të festuar lindjen e nipit ose mbesës së parë.Vdekja e Anës u regjistrua si vetëvrasje, por familja e Ratko Mlladiqit nuk e pranoi kurrë këtë përfundim. Për vite me radhë, ata kanë pretenduar se 23-vjeçarja ishte vrarë nga armiqtë e tij gjatë luftës. Megjithatë, këto pretendime nuk u provuan dhe versioni zyrtar mbeti ai i vetëvrasjes.Arsyet që e shtynë Anën drejt këtij akti nuk janë sqaruar kurrë. Një nga teoritë e përmendura në libra dhe biografi kushtuar Mlladiqit është se ajo kishte rënë në depresion pasi, gjatë një udhëtimi në Moskë, mësoi më shumë për raportimet mbi rolin e të atit në luftën e Bosnjës, përfshirë rrethimin e Sarajevës dhe krimet për të cilat ai më vonë do të akuzohej. Kjo mbetet një teori e autorëve dhe nuk është konfirmuar nga ndonjë hetim zyrtar.Historianë dhe biografë që kanë studiuar jetën e Ratko Mlladiqit kanë shkruar se vdekja e së bijës pati ndikim të madh tek ai. Sipas tyre, pas marsit të vitit 1994, sjellja e komandantit serb gjatë luftës u bë edhe më e ashpër dhe më e paparashikueshme. Ngjarjet që pasuan do të hynin ndër më të tmerrshmet e luftës në Bosnje. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në Srebrenicë. Mlladiçi u shpall fajtor për gjenocidin në Srebrenicë, si edhe për rrethimin shumëvjeçar të Sarajevës dhe fushatën e spastrimit etnik kundër popullsisë joserbe në Bosnje. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:35 Letra e fundit për MlladiçIn! Vuçiç kërkoi ta nxirrte nga burgu i Hagës para vdekjes Vetëm shtatë ditë para vdekjes së Ratko Mlladiqit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i dërgoi një kërkesë me shkrim administratës së Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë, duke kërkuar që i dënuari për gjenocidin në Srebrenicë të lirohej për arsye humanitare dhe ditët e fundit të jetës t'i kalonte në një spital në Serbi.Sipas mediave serbe, Vuçiç e bazoi kërkesën në raportin mjekësor që tregonte se gjendja shëndetësore e Mlladiqit ishte terminale. Në letrën e tij, presidenti serb argumentoi se lejimi i transferimit të Mlladiqit në Serbi për trajtim ishte një çështje humaniteti dhe jo një çështje që vinte në diskutim vendimet gjyqësore të Tribunalit.Në mesin e muajit gusht, edhe mbrojtja e Mlladiqit kishte paraqitur një kërkesë për lirim të parakohshëm me kushte për arsye humanitare, duke argumentuar se raportet mjekësore konfirmonin se ai ndodhej në fazën e fundit të jetës.Megjithatë, Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë e rrëzoi kërkesën. U.D/Shqiptarja.com Share Ora 15:23 Djali i Ratko Mlladiç rrëfen orët e fundit të jetës në burg të kriminelit të luftës: Lëngonte në shtrat, i dhanë fentanil për dhimbjet! I dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krimin më të rëndë të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, krimineli i luftës Ratko Mlladiç i kaloi ditët e fundit të jetës në spitalin e burgut në Hagë, duke lwnguar nga dhimbjet e forta. Sipas familjes gjendja e tij ishte përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme.Djali i tij, Darko Mlladiç , tha se javët e fundit i ati pothuajse nuk fliste më. Sipas tij, mjekët i kishin nisur trajtimin me fentanil, një opioid i fuqishëm që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të forta, ndërsa qëndrimi i gjatë në shtrat i kishte shkaktuar plagë në trup.Familja pretendon se gjithçka nisi më 10 prill, kur Mlladiqi pësoi goditjen e parë në tru. Sipas Darkos, mjekët nuk e diagnostikuan siç duhej dhe një muaj më vonë ai pësoi edhe një goditje të dytë, e cila ia përkeqësoi gjendjen. Prej gushtit të vitit 2024, ai nuk ishte ngritur më në këmbë dhe lëvizte vetëm me karrocë.Darko Mlladiç tha se babai i tij vuante gjithashtu nga probleme me zemrën, veshkat dhe diabeti. Sipas tij, mjekët e kishin njoftuar familjen se ai mund të vdiste brenda pak ditësh, ndaj u bë edhe një kërkesë e fundit për lirimin e tij për arsye humanitare. Kërkesa u refuzua.Ratko Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare, duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për vrasjen e mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë, si edhe për rrethimin e Sarajevës. U.D/Shqiptarja.com Share U.D/Shqiptarja.com TAG: Bosnje Hercegovina Ratko Mlladiç Masakra e Srebrenicës Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.0 / 5 (2 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento gimi: 27/08/2026 15:23 RATKO MLLADIC HEROI I JUGOSLLAVISE...DUHEJ TE VEPRONTE NE KOSOVE..TE SPASTRONTE KOSOVEN NGA PLEHERAT..... Përgjigju Sondazhi i ditës:

24 Gusht, 21:21

Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.3% Keq 34.8% Nuk e di 12.8% Vota total: 3536 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?