Humbja tragjike e 16-vjeçarit shqiptar Asllan Gjana, i cili humbi jetën pasi u përplas me kokë në një mur pranë fushës së futbollit në ishullin e Thasos, ka detyruar autoritetet greke të marrin masa të menjëhershme për sigurinë në ambientet sportive. Bashkia e Kavalës ka vendosur mbylljen pa afat të fushave të futbollit nën administrimin e saj, deri në përfundimin e kontrolleve dhe verifikimin e kushteve të sigurisë. Vendimi përfshin edhe pezullimin e lejeve për stërvitjet dhe kurset e futbollit për fëmijët.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një ndeshjeje, kur 16-vjeçari, i njohur nga të afërmit me nofkën “Ani”, doli jashtë vijave të lojës për të ndjekur topin dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në një mur pranë tribunave. Goditja rezultoi fatale për të riun. Urdhri për pezullimin e aktiviteteve sportive mban firmën e Christos Bosbotis, nënkryetar i Bashkisë së Kavalës për Kulturën, Sportin dhe Rininë.
Autoritetet kanë kërkuar inspektimin e menjëhershëm të të gjitha ambienteve sportive, me fokus te përmasat e fushave dhe distanca mes vijave të lojës dhe mureve apo pengesave të tjera të palëvizshme. Edhe pse lejet e përdorimit ishin miratuar gjatë gjysmës së dytë të shtatorit, aktivitetet do të mbeten të pezulluara deri në përfundimin e verifikimeve dhe kryerjen e ndërhyrjeve të nevojshme. Në rast të evidentimit të shkeljeve të standardeve të sigurisë, zhvillimi i ndeshjeve dhe stërvitjeve do të kushtëzohet nga miratimi përkatës i Federatës Greke të Futbollit.

