Një vatër e re zjarri me përmasa të konsiderueshme është regjistruar gjatë mesnatës në fshatin Gjyralë, pjesë e Bashkisë së Cërrikut. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe bimësi të ulët, duke u përhapur me shpejtësi në zonë.
Siç raporton korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku, menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat vendore kanë reaguar për menaxhimin e situatës, duke shmangur çdo rrezik.
Dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës, dy mjete, së bashku me forcat e emergjencave civile të Cërrikut, janë dërguar menjëherë në vendngjarje.
Ekipet po punojnë me intensitet dhe për izolimin e vatrave, vënien e flakëve nën kontroll dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara. Banesat e fshatit Gjyralë ndodhen në distancë të sigurt nga vija e zjarrit. Zjarrfikësit kanë krijuar një perimetër mbrojtës për të garantuar që asnjë shtëpi të mos cenohet.
Aktualisht, operacioni vijon dhe forcat e emergjencës do të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të monitoruar situatën derisa të eliminohet çdo vatër e fshehur dhe rreziku të kalojë plotësisht. Top Channel

