Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer mesazhe të ashpra përpara njoftimit të planifikuar për të hënën të një pakete të re sanksionesh ekonomike amerikane, të cilat pritet të prekin Iranin dhe partnerët e tij kryesorë tregtarë, përfshirë Kinën. Ndërsa konflikti po i afrohet gjashtë muajve, dy vendet nuk po shkëmbejnë zjarr, por as nuk po zhvillojnë bisedime aktive paqeje. Ndërkohë, trafiku i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit ka rënë ndjeshëm, duke shkaktuar shqetësime për furnizimet globale me energji.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pritet të mbajë një konferencë për shtyp të hënën në orën 14:00 sipas kohës së SHBA-së, ku pritet të japë detaje mbi masat që administrata Trump i ka cilësuar si “sanksionet më të ashpra në histori”.
Sipas ‘Reuters’, Bessent i ka bërë gjithashtu thirrje Kinës që të bashkëpunojë me Uashingtonin. Sipas të dhënave të Kpler për vitin 2025, Kina bleu më shumë se 80% të naftës së transportuar nga Irani. Pekini, ndërkohë, ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha të shtunën se sanksionet e reja amerikane përbëjnë një “pohim të sovranitetit ekstraterritorial” mbi shtetet e pavarura anëtare të Kombeve të Bashkuara.
“Sanksione të tilla dytësore nuk gjejnë bazë në të drejtën ndërkombëtare”, shkroi ai në një postim në X.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar ndërkohë pasoja ekonomike për çdo vend që i ofron “çfarëdo lloj ndihme” Iranit. Të premten, Trump tha se Teherani do të donte të arrinte një marrëveshje, por sipas tij “nuk është gati të bëjë marrëveshjen e duhur”. Top Channel

