Temperaturat e larta që po përjeton vendi po ndikojnë në shëndetin e popullatës. Mjekët kardiologë thonë se pacientët e tyre dhe personat mbi 65 vjeç janë më të rrezikuar nga valët e të nxehtit. Në disa raste, ndikimi mund të jetë edhe fatal. Mjekët thonë se sa herë që ka temperatura ekstremisht të larta, ka edhe rritje të urgjencave spitalore dhe shtrimeve në spital. Në këto kushte, mjekët këshillojnë që të shmangen daljet në orët e pikut, të mbahet kontakt me mjekun e familjes apo specialistin për monitorimin e gjendjes shëndetësore dhe të mos ndërpriten skemat e mjekimit të miratuara prej tyre. Ushqimi i lehtë me fruta dhe perime, si dhe konsumimi i sa më shumë lëngjeve, mbetet këshilla kryesore për një shëndet të mirë në çdo stinë.
