Vetëm një ditë pas publikimit të një denoncimi në redaksinë e JOQ Albania, ku ngriheshin dyshime për një faqe në TikTok që promovonte ardhjen e vajzave të huaja në Tiranë, ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Tiranës.
Në denoncimin e publikuar një ditë më parë, bëhej fjalë për faqen “Lifan në Tiranë”, e cila kishte publikuar disa video me vajza të huaja dhe mesazhin se ato kishin mbërritur në Tiranë. Pamjet, në vetvete, nuk mjaftonin për të përcaktuar natyrën e aktivitetit, por mënyra e komunikimit në rrjetet sociale kishte ngritur dyshime për një veprimtari të paligjshme që mund të lidhej me prostitucionin.
Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë me dije se gjatë javës së fundit janë finalizuar dy operacione nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.
Sipas policisë, në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar 7 shtetase të huaja, ndërsa janë proceduar penalisht 5 shtetase dhe 3 shtetas, të cilët dyshohet se ishin klientë.
Autoritetet thonë se po vijojnë punën për evidentimin e ambienteve dhe personave të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme, me qëllim goditjen e saj dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.

