Lajme Zone
“Vajza jote ka vdekur”/ Krimi makabër në Itali! Hodhi nga ura ish-partneren, autori telefonoi nënën e viktimës dhe më pas vrau veten
TeknologjiTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

“Vajza jote ka vdekur”/ Krimi makabër në Itali! Hodhi nga ura ish-partneren, autori telefonoi nënën e viktimës dhe më pas vrau veten

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e Lorenës Isceri, e cila dyshohet se u vra nga ish-partneri i saj, Federico Vella.

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e Lorenës Isceri, e cila dyshohet se u vra nga ish-partneri i saj, Federico Vella. Sipas rindërtimit të hetuesve, ngjarja nisi në garazhin e banesës së saj dhe përfi në një mbikalim të autostradës, ku gruaja u hodh nga ish-partneri, shkruajnë mediat.

Sipas të dhënave të hetimit, marrëdhënia mes Lorenës dhe Federicos kishte përfunduar pasi ajo dyshohet se zbuloi një lidhje tjetër. Pas ndarjes, Vella raportohet se kishte tentuar vazhdimisht të rikthehej me të, duke e kontaktuar edhe nënën e Lorenës, pavarësisht se ajo i kishte kërkuar të mos e shqetësonte më.

Të afërmit e viktimës kanë deklaruar se Lorena kishte frikë nga ish-partneri, por nuk kishte dashur ta denonconte, duke u shqetësuar se një kallëzim do t’i dëmtonte jetën.

Sipas hipotezës së prokurorisë, Vella e kishte përgatitur paraprakisht sulmin. Në momentin e ngjarjes, ai dyshohet se kishte me vete lidhëse kabllosh, gërshërë dhe një çarçaf, sende që hetuesit i konsiderojnë si elemente që mund të mbështesin dyshimin për paramendim.

Lorena dyshohet se u sulmua në garazhin e banesës së saj në Rifredi. Pas lidhjes, ajo u vendos në bagazhin e automjetit të Vellës, i cili më pas u nis drejt zonës së mbikalimit të autostradës.

Megjithatë, gjatë rrugës, Lorena arriti të përdorte telefonin e saj të punës, të cilin e kishte në çantë. Fillimisht ajo i dërgoi një mesazh zanor një miku për të kërkuar ndihmë dhe më pas telefonoi policinë.

“Më ka rrëmbyer, do të më vrasë”, raportohet të ketë thënë ajo gjatë telefonatës.

Hetuesit po rindërtojnë minutë pas minute lëvizjet e viktimës dhe të ish-partnerit të saj. Telefonatat dhe mesazhet e dërguara nga Lorena janë ndër provat që po shqyrtohen për të kuptuar çfarë ndodhi gjatë rrugës drejt mbikalimit.

Sipas rindërtimit paraprak, Vella dyshohet se e ka sulmuar sërish Lorenën pasi ka mbërritur në zonën e mbikalimit.

Gruaja ishte pa ndjenja, por ende gjallë kur u hodh nga mbikalimi, sipas hipotezës së hetuesve.

Kur forcat e rendit mbërritën në vendngjarje, Vella ndodhej në buzë të mbikalimit. Sipas pamjeve filmike të policisë, ai refuzoi t’u afrohej efektivëve.

Pavarësisht përpjekjeve për ta bindur të hiqte dorë, negociatat nuk patën rezultat. Para se të kryente aktin fatal, Vella dyshohet se i dërgoi një mesazh nënës së Lorenës, duke i komunikuar se vajza e saj kishte vdekur. Më pas ai telefonoi nënën e tij.

Pak kohë më vonë, gruaja kontaktoi policinë dhe raportoi bisedën me të birin.

“Djali im më telefonoi dhe më tha se kishte vrarë ish-të dashurën”, raportohet të ketë deklaruar ajo në telefon.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, ndërsa autoritetet po analizojnë provat, pamjet filmike, telefonatat dhe komunikimet e kryera para dhe gjatë krimit. Top Channel