Ulrich Siegmund, 35-vjeçari i AfD-së, ka udhëhequr partinë e ekstremit të djathtë drejt një fitoreje historike në Saksoni-Anhalt, duke marrë 44.5% të votave në zgjedhjet rajonale. Fitorja shënon një moment të rëndësishëm për AfD-në, e cila për herë të parë arrin të dalë forcë e parë në një zgjedhje për parlamentin e një landi gjerman. Rezultati e ka vendosur Siegmundin në qendër të vëmendjes së politikës gjermane dhe e ka shndërruar atë në një nga figurat më të rëndësishme të së djathtës ekstreme në vend.
Por rruga e tij drejt këtij suksesi nuk nisi në korridoret e pushtetit. Siegmund u bë fillimisht i njohur në rrjetet sociale, veçanërisht gjatë pandemisë, kur publikonte video në TikTok kundër masave të vendosura nga qeveria.
Ai kritikonte maskat, vaksinimet dhe kërkesat e tjera të autoriteteve, duke i cilësuar si “të çmendura”. Me një stil komunikimi miqësor dhe optimist, Siegmund arriti të tërheqë miliona shikues dhe të ndërtojë një audiencë të madhe online.
Sot ai ka më shumë se 850 mijë ndjekës në TikTok, një shifër jashtëzakonisht e lartë për një politikan gjerman. Gjatë fushatës, ai përdori në mënyrë intensive rrjetet sociale, duke filmuar me telefonin e tij aktivitetet dhe turmat që e ndiqnin.
Sipas Paula Diehl, profesoreshë në Universitetin e Kielit, aktivitetet e Siegmundit nuk janë të destinuara vetëm për njerëzit që marrin pjesë fizikisht, por kryesisht për audiencën në internet.
Nga shitës aromatizuesish në politikë
Siegmund lindi në vitin 1990, vetëm disa javë pas ribashkimit të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore. Ai u rrit në Tangermünde, në lindje të Gjermanisë, në një zonë ku pas ribashkimit pati rënie të ekonomisë, punësimit dhe popullsisë.
Në të 20-at, ai punoi si menaxher llogarish në një ofrues shërbimesh shëndetësore dhe më pas krijoi një biznes në Berlin për shitjen e aromatizuesve të ambienteve.
Fillimisht iu bashkua Bashkimit Kristian Demokrat (CDU), por në vitin 2014 kaloi në AfD. Ai ka thënë se u tërhoq nga CDU për shkak të strukturave të saj të ngurta dhe u afrua me AfD-në për shkak të kundërshtimit të politikave të qeverisë qendrore në Berlin.
Në vitin 2016, Siegmund fitoi mandatin e tij të parë në parlamentin e Saksoni-Anhaltit, ndërsa AfD siguroi 24% të votave.
Fama e tij në nivel kombëtar u rrit veçanërisht gjatë pandemisë. Videot në TikTok e shndërruan në një nga figurat më të njohura të AfD-së dhe i dhanë një platformë të fuqishme për të komunikuar drejtpërdrejt me votuesit.
Një profil i veçantë brenda AfD-së
Siegmund dallohet nga shumë prej figurave të tjera të AfD-së për mënyrën e komunikimit. Ai përdor një ton të qetë, miqësor dhe optimist, ndërsa në të njëjtën kohë promovon qëndrime të ashpra mbi emigracionin dhe çështje të tjera politike.
AfD ka premtuar dëbime masive të emigrantëve dhe ka deklaruar se Islami është i papajtueshëm me Kushtetutën gjermane. Partia ka propozuar gjithashtu shkurtimin e fondeve për transmetuesit publikë, ndalimin e flamujve të paradave të krenarisë në shkolla dhe rritjen e mësimit të gjuhës ruse.
Partia është klasifikuar nga autoritetet gjermane të inteligjencës si e dyshuar për ekstremizëm, ndërsa disa prej drejtuesve të saj kanë mbajtur qëndrime të afërta me Rusinë dhe kanë bërë deklarata kontroverse për periudhën naziste.
Edhe Siegmund është përfshirë në polemika për qëndrimet e tij ndaj së kaluarës naziste të Gjermanisë. Në një intervistë për një podcast, ai ka thënë se nuk mund të gjykonte nëse Holokausti ishte krimi më i rëndë në historinë njerëzore.
Ai gjithashtu ka refuzuar të dënojë mbështetësit që kanë brohoritur emrin e tij në formën e përshëndetjes naziste “Sieg Heil”.
Nostalgjia për Gjermaninë Lindore
Një tjetër element i profilit politik të Siegmund është mënyra se si ai ka përdorur nostalgjinë për Gjermaninë Lindore gjatë fushatës.
Edhe pse ka lindur pas rënies së saj, ai është shfaqur në disa aktivitete duke udhëtuar me një motor Simson, një mjet i lidhur ngushtë me jetën e përditshme në Gjermaninë Lindore gjatë periudhës komuniste.
Në një prej aktiviteteve të fushatës është kënduar edhe himni i ish-Gjermanisë Lindore, një veprim që shkaktoi polemika dhe bëri që edhe disa figura të AfD-së të distancoheshin.
Në të njëjtën kohë, Siegmund është përpjekur të ndërtojë një mesazh optimist për të ardhmen, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e votuesve për papunësinë, kostot e jetesës dhe problemet ekonomike.
“Gjërat po shkojnë keq kudo dhe ky është një vend i keq dhe demotivues për të filluar. Unë dua që gjërat të fillojnë të ecin përpjetë”, është shprehur ai.
“Njeriu më i rrezikshëm në Gjermani”
Në gusht, revista gjermane Der Spiegel e cilësoi Siegmundin si “njeriun më të rrezikshëm në Gjermani”, pjesërisht për shkak të mënyrës së tij optimiste dhe miqësore, e cila, sipas kritikëve, i bën më të pranueshme politikat e ashpra të AfD-së për një pjesë të votuesve.
Mbështetësit e tij e morën këtë cilësim si një simbol krenarie dhe gjatë aktiviteteve të fushatës i kërkuan të firmoste kopje të revistës.
Siegmund ka thënë se aftësia e tij për të komunikuar dhe motivuar njerëzit është një nga pikat e tij të forta.
“Unë mund të jap motivim, të krijoj një ndjenjë optimizmi dhe t’i bëj gjërat të ecin përsëri përpara”, është shprehur ai.
Pas fitores së AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund është shndërruar në një nga figurat kryesore të së djathtës ekstreme gjermane. Nga videot në TikTok dhe biznesi i aromatizuesve, ai tashmë ndodhet në qendër të një prej zhvillimeve më të rëndësishme politike në Gjermani. Top Channel

