Gazetari Klodian Tomorri ka bërë një reagim për uljen e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Tomorri shkruan se kjo ulje dëmton profesionistët e lirë, kjo për shkak se, sipas tij, TVSH-ja 21 për qind shkon drejtpërdrejt si taksë mbi xhiron.
Më tej shkruan se nëse kësaj i shton taksat e bashkisë dhe sigurimet, atëherë shkon vlera në 50%.
Tomorri shkruan se në këtë mënyrë shteti të merr gjysmën e xhiros si taksë ndërsa kur vjen puna te shërbime si ato spitalore, qytetarët duhet të pagujnë.
Sipas tij, nëse për këtë ngre zërin dhe del në protestë rrihesh, pra paguan 50% taksë për t'u dhunuar.
Reagimi i plotë: Kur e rriti pragun e TVSH-së në 10 mln lekë, tha që po e bëj për të luftuar informalitetin. Tani që po e ul në 5 milionë, thotë prapë që po e bëj për të luftuar informalitetin.
Kur e uli para rritjes, tha prapë që po luftoj informalitetin, vetëm se e formuloi ndryshe; për të ndihmuar në formalizimin e bizneseve.
Ndërkohë, profesionistët e lirë, me uljen e pragut të TVSH-së në 5 mln lekë xhiro vjetore, sakatohen. TVSH-ja 21 për qind shkon drejtpërdrejt si taksë mbi xhiron.
Nëse kësaj i shton taksat e bashkisë dhe sigurimet, atëherë shkon rrumbullak 50 për qind. Të keqen e Suedisë.
Kontabilisti, avokati, mjeku, dentisti, arkitekti, inxhinieri, agjenti imobiliar, gazetari dhe fotografi freelance, eksperti vlerësues etj., etj., etj., do të punojnë një ditë për vete dhe një ditë për qeverinë.
Të merr shteti gjysmën e xhiros si taksë, por pastaj, kur vjen puna për spital, larg qoftë, të thotë: “Paguaj cik, po nuk e pate bezdi.”
Po e ngrite zërin dhe del në protestë, të rreh me shkop gome, të mbyt me gaz ose të rras plumbin e gomës ballit.
Pra, paguan 50 për qind taksë që të rrihesh dhe të pallohesh nga qeveria. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

