Ekspertët që vlerësojnë ndikimin në mjedis të ndërtimeve, resorteve turistike, hidrocentraleve dhe projekteve industriale do të duhet të kalojnë një provim shtetëror për t’u certifikuar, ndërsa atyre që mbajnë funksione publike do t’u pezullohet certifikata nëse ndodhen në konflikt interesi.
Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që ndryshon sistemin e certifikimit të ekspertëve përgjegjës për hartimin e raporteve të ndikimit në mjedis, dokumente që përdoren në procedurat e vlerësimit mjedisor të investimeve.
Rregullat përfshijnë ekspertët që vlerësojnë ndikimin e projekteve të zhvillimit urban, ndërtimeve, komplekseve turistike, veprimtarive minerare, industrisë së hidrokarbureve, energjisë dhe infrastrukturës së transportit, si edhe ata që kryejnë auditime dhe monitorime mjedisore.
Sipas projektvendimit, certifikimi do të kushtëzohet nga një provim me 100 pikë, ku kandidatët duhet të sigurojnë të paktën 70 pikë për të kaluar. Provimet do të zhvillohen minimumi dy herë në vit, në bashkëpunim me universitete ose institucione të tjera publike të specializuara.
Kandidatët duhet të kenë diplomë Master i Shkencave ose ekuivalente në një fushë të lidhur me ekspertizën dhe të paktën dy vite përvojë profesionale. Nga certifikimi përjashtohen personat e dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale mjedisore, korrupsion apo falsifikim dokumentesh, si edhe ata që kanë marrë masa administrative për shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor.
Një nga dispozitat kryesore prek ekspertët që punojnë në administratën publike. “Emërimi ose ushtrimi i një funksioni publik që krijon konflikt interesi sipas legjislacionit në fuqi përbën shkak për pezullimin e certifikatës së ekspertit mjedisor”, përcakton dokumenti. Gjatë kësaj periudhe, eksperti nuk mund të hartojë raporte të ndikimit në mjedis apo të kryejë auditime mjedisore.
Për kompanitë që ofrojnë shërbime të ekspertizës mjedisore, certifikimi do të kërkojë që administratori të jetë vetë ekspert i certifikuar dhe subjekti të ketë të punësuar me kontratë të paktën një ekspert të certifikuar.
Aplikimi për individët do të kushtojë 10 mijë lekë, tarifë që nuk kthehet edhe nëse kërkesa refuzohet. Për kompanitë, projektvendimi përmban dy tarifa të ndryshme, 15 mijë lekë në kriteret e certifikimit dhe 10 mijë lekë në procedurat e aplikimit.
Ministria argumenton në relacionin shoqërues se ndryshimet synojnë “rritjen e besueshmërisë së raporteve dhe ekspertizave mjedisore”, si edhe përmirësimin e transparencës së certifikimit.
Lista e ekspertëve të certifikuar dhe fushat ku ata lejohen të ushtrojnë veprimtarinë do të publikohen në faqen zyrtare të ministrisë. Aplikimet do të kryhen përmes e-Albania, ndërsa ministria do të ketë shtatë ditë pune për shqyrtimin fillestar të dokumenteve.
Ekspertët e certifikuar sipas sistemit ekzistues do të vazhdojnë të njihen, por do të duhet të regjistrohen në listën e re brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Projektakti parashikon zëvendësimin e rregullave të vitit 2008./Monitor Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

