Lajme Zone
“Ule muzikën”, si ndodhi përplasja me armë në lokalin ku ishte Alket Rizai
BotëJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 7 burime — Krahaso mbulimin →

“Ule muzikën”, si ndodhi përplasja me armë në lokalin ku ishte Alket Rizai

Alket Rizai, shqiptari i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet greke dhe si ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit Vasilis Paleokostas, dyshohet se është përfshirë në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos, në jug të Athinës.

Alket Rizai, shqiptari i njohur për arratisjet spektakolare nga burgjet greke dhe si ish-bashkëpunëtor i të shumëkërkuarit Vasilis Paleokostas, dyshohet se është përfshirë në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos, në jug të Athinës.

Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa policia greke arriti të identifikojë Rizain pas shqyrtimit të pamjeve të kamerave të sigurisë. Materialet filmike u analizuan disa orë pas incidentit, gjatë pasdites.

Sipas raportimeve të mediave greke, në momentin e ngjarjes Rizai ndodhej me leje nga burgu i Domokosit, ku pritet të rikthehet mëngjesin e së hënës. Nëse nuk paraqitet brenda afatit, ai konsiderohet i arratisur dhe ndaj tij pritet të nisë një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Si nisi konflikti

Policia u njoftua rreth orës 05:15 për të shtëna me armë zjarri në zonën e Anavyssos. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën personat e përfshirë, por konstatuan dy gëzhoja dhe njolla gjaku.

Pak më vonë, nga Qendra Shëndetësore e Kalivias u njoftua policia se dy persona ishin paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore. Njëri prej tyre, një 20-vjeçar grek, kishte pësuar dëmtime në kyçin e këmbës nga copat e xhamit, ndërsa një 41-vjeçar nga Pakistani ishte plagosur nga një plumb në pulpë.

Të dy rezultuan të ishin punonjës të lokalit dhe u morën në pyetje nga autoritetet. Megjithatë, dëshmitë e tyre nuk përputheshin me njëra-tjetrën. Edhe pronari i biznesit ka dhënë një version të ndryshëm për mënyrën se si ndodhi përplasja.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti nisi pasi pjesa më e madhe e klientëve ishte larguar nga lokali dhe pronari kishte ulur muzikën. Në atë moment, Rizai, i cili ndodhej në ambientet e biznesit së bashku me dy persona të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me volum të lartë në automjetin e tij.

Pronari doli jashtë dhe i kërkoi që ta ulte zërin, pasi kishte frikë se zhurma mund të sillte ndërhyrjen e policisë. Kërkesa u shndërrua në një debat, i cili më pas u përshkallëzua në konflikt fizik dhe përfshiu edhe persona të tjerë që dolën nga lokali.

Gjatë përplasjes, Rizai dyshohet se nxori një armë dhe qëlloi në ajër. Më pas, një shtetas afgan, i cili kishte dalë nga lokali dhe dyshohet se punonte në sigurinë e biznesit, hapi gjithashtu zjarr.

Dy punonjësit e lokalit mbetën të plagosur, ndërsa sipas dyshimeve të hetuesve, plumbat mund të kenë bërë rikoshet përpara se t'i godisnin ata.

Pas incidentit, Rizai dhe dy personat që e shoqëronin u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me automjet. Edhe shtetasi afgan, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga autoritetet greke, u largua nga zona.

Deri tani, personi i arrestuar është pronari i biznesit. Ai dyshohet se ka dhënë deklaratë të rreme në lidhje me rrethanat e incidentit.

Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe është vënë në kërkim të Alket Rizait, përpara përfundimit të lejes së tij dhe afatit kur ai duhet të rikthehet në burgun e Domokosit.