Ministri i Rinisë dhe Sportit të Ukrainës, Matvii Bidnyi, ka mbështetur publikisht vendimin e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) për të mos emëruar Andrea Pirlon në krye të kombëtares italiane, për shkak të lidhjeve të tij me kompaninë ruse të basteve Fonbet. Në një intervistë për Calcio e Finanza, Bidnyi u shpreh se vendimi i FIGC ishte i drejtë dhe i bazuar në parime. “Ne e mbështesim plotësisht vendimin e Federatës Italiane të Futbollit. Është një qëndrim i fortë dhe i bazuar në parime. Çdo lidhje tregtare me kompani ruse, përfshirë kompanitë e basteve, mbështet drejtpërdrejt ose tërthorazi luftën kundër Ukrainës”, deklaroi ministri ukrainas.
Sipas Bidnyit, çdo federatë, qytet apo organizatë sportive mund të kontribuojë në kufizimin e ndikimit rus përmes vendimeve që merr. “Çdo federatë, qytet dhe organizatë sportive mund ta kundërshtojë ndikimin rus brenda mundësive të saj. Kur mijëra vendime të tilla bashkohen, agresori izolohet realisht. Shpresojmë që ky të shërbejë si një precedent, në mënyrë që edhe organizma të tjerë sportivë evropianë ta vendosin etikën përpara interesave financiare.”
Deklaratat e ministrit ukrainas vijnë pas debatit të madh që shoqëroi procesin e përzgjedhjes së trajnerit të ri të Italisë, ku lidhjet e Andrea Pirlos me kompaninë ruse Fonbet u konsideruan si një faktor vendimtar për moszgjedhjen e tij. Top Channel

