Ukraina po punon për krijimin e një sistemi të vet satelitor të ngjashëm me Starlink, ndërsa paralelisht po zgjeron kapacitetet për mbrojtjen nga dronët dhe zhvillimin e raketave të reja. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri të ditur se Kievi po punon për një sistem satelitor kombëtar, i cili synon t’i ofrojë vendit kapacitete të ngjashme me rrjetin Starlink. Kreu i shtetit ukrainas dha gjithashtu detaje për forcimin e mbrojtjes së kryeqytetit nga sulmet ajrore. Sipas tij, në Kiev janë instaluar tashmë 12 kulla të projektuara për të luftuar dronët me motor reaktiv. Rrjeti pritet të zgjerohet më tej. Tetë kulla të tjera do të vendosen në të ardhmen e afërt në rajonin e Kievit, duke rritur kapacitetet për zbulimin dhe neutralizimin e kërcënimeve nga ajri. Zelensky njoftoi gjithashtu se Ukraina po zhvillon raketa të vogla, në kuadër të përpjekjeve për të zgjeruar prodhimin vendas të armëve dhe teknologjive ushtarake. Sipas presidentit ukrainas, rezultatet e para të këtij programi pritet të shihen që në fund të muajit tetor. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

