FIFA u tërhoq nga plani për të shitur 20 për qind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës te privati. Kjo gjë është pritur mirë nga UEFA, me organin evropian të futbollit që nuk e ka zbutur inatin me kreun e FIFA-s, Gianni Infantino. Në reagimin e UEFA-s mund të lexohet nëpër rreshta se këta të fundit kërkojnë një president tjetër në vend të Gianni Infantinos, duke i kujtuar se ka dështuar të mbajë premtimet e dhëna. Reagimi i UEFA-s: UEFA mirëpret vendimin e FIFA-s për të tërhequr planin e saj për të shitur një pjesë të aksioneve të garave të saj, përfshirë edhe Kupën e Botës, në duart e investitorëve privatë. LEXO EDHE:Si mbeti i vetëm Infantino? Dorëheqjet dhe revolta që detyruan FIFA-n të tërhiqej nga 'shitja' e Kupës së Botës Ky propozim u refuzua njëzëri nga federatat kombëtare të UEFA-s, si dhe nga shumë federata e konfederata të tjera në të gjithë botën, të cilat kanë detyrën të mbrojnë futbollin. UEFA falenderon të gjithë tifozët, ligat, klubet, futbollistët, individët, federatat dhe konfederatat që kundërshtuan këtë nismë, së bashku me kryeministrat, krerët e shteteve dhe analistët e shumtë që i treguan presidentit të FIFA-s se futbolli nuk është në shitje. Nuk mund të vazhdohet më me plane sekrete të përshpejtuara, të hartuara nga persona anonimë dhe me përfitime të dyshimta për futbollin. Duhet të identifikohen përgjegjësit dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Është e drejtë që, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, UEFA të punojë me federatat e saj anëtare dhe në bashkëpunim të ngushtë me konfederatat e tjera për të analizuar se si u arrit deri këtu dhe për të hartuar një plan që të sigurojë se një situatë e tillë nuk do të përsëritet më. Ky rishikim duhet të jetë i plotë dhe themelor. Asnjë mundësi nuk duhet të përjashtohet. Drejtimi aktual i FIFA-s jo vetëm që ka humbur besimin e UEFA-s, por edhe atë të shumë anëtarëve të tjerë të familjes së futbollit. Kur Gianni Infantino kërkoi besimin dhe votat e federatave anëtare të FIFA-s për t’u zgjedhur president në vitin 2016, ai deklaroi: "Sigurisht që duhet të jemi transparentë. Kështu kam qenë gjatë 15 viteve të fundit të jetës sime në UEFA. Ju do të duhet të merrni pjesë çdo ditë në jetën e FIFA-s." Më pas ai u tha të pranishmëve: "Paratë e FIFA-s janë paratë tuaja. Nuk janë paratë e presidentit të FIFA-s. Janë paratë tuaja. Ju jeni federatat kombëtare dhe fondet e FIFA-s duhet të shërbejnë për zhvillimin e futbollit dhe për asgjë tjetër." Për të dyja këto premtime, ai ka dështuar t’i mbajë. Marrëveshja e paqartë, e përgatitur në prapaskenë dhe që u përpoq ta impononte, ishte gjithçka tjetër përveçse transparente. Dhe, me rezervat financiare të FIFA-s që aktualisht tejkalojnë 5 miliardë dollarët, ai gjithashtu ka dështuar të përdorë fondet e federatave për të mirën e futbollit. UEFA do të nisë menjëherë punën me partnerët dhe aktorët e futbollit në mbarë botën për të propozuar një mënyrë të re të shpërndarjes së burimeve përmes programit ekzistues FIFA Forward. Duhet të fillojmë të përdorim një pjesë të këtyre fondeve, që aktualisht qëndrojnë të pashfrytëzuara në llogaritë bankare të FIFA-s, për t’i dhënë zhvillimit të futbollit bazë dhe futbollit në përgjithësi shtysën që i nevojitet në secilin prej 211 vendeve anëtare të FIFA-s. Por për ta bërë këtë nuk kemi nevojë të shesim "argjendarinë e familjes", pra pasuritë më të çmuara të futbollit. Kjo është një fitore për të gjithë futbollin. Por nuk duhet të jetë fundi i kësaj historie. Propozimi është tërhequr. Tani sapo ka nisur detyra shumë më e rëndësishme, rindërtimi i besimit te FIFA. Plani i FIFA-s FIFA ka hequr dorë nga plani për t’ua shitur fondeve private të drejtat e Kupës së Botës, përmes krijimit të një kompanie të re të kontrolluar që do të administronte të drejtat tregtare të turneut. Kjo ide shkaktoi reagime të forta në botën e futbollit dhe më gjerë. Ajo hapi një përplasje të drejtpërdrejtë me UEFA-n, e cila ishte gati të bojkotonte projektin, ndërsa solli edhe tronditje brenda vetë FIFA-s. Si pasojë, këshilltari i lartë i FIFA-s, Carlos Cordeiro dha dorëheqjen, ndërsa drejtori operativ Kevin Lamour akuzoi presidentin Gianni Infantino duke deklaruar: “Infantino na mashtroi.” Infantino u kishte ofruar të gjitha 211 shoqatave anëtare deri në 40 milionë dollarë nëse ato mbështesnin një propozim për investime private në turnetë e tyre, duke përfshirë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra. 55 shoqatat anëtare të futbollit evropian, UEFA, u shprehën unanimisht kundër këtij projekti. Ky plan i Infantino, i propozuar menjëherë pas Kupës së Botës 2026 në Amerikën e Veriut, parashikonte se 20% të aksioneve të aktiviteteve kryesore të dilnin në shitje, me qëllim përfitimin e një shifre që shkonte deri në 4.2 miliardë dollarë, që më pas do t'i ndahej federatave në të gjithë botën. Megjithatë raportimet se pas këtij investimi fshihen familjarë të presidentit të SHBA-ve Donald Trump ngritën alarm në botën e futbollit. Rendit zhvillimet sipas orarit: Të Fundit Të Parat Ora 14:29 Armand Duka i del kundër Infantinos: Zhvillimet e fundit në FIFA kanë ngritur pikëpyetje për qeverisjen e futbollit Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe njëherazi një nga zëvendëspresidentët e UEFA-s, ka përshëndetur vendimin e FIFA-s për t'u tërhequr nga shitja e 20 për qind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës.Duka nuk ka ngurruar të përmendë edhe pikëpyetjet që ngritën këtë proces, duke sulmuar edhe kreun e FIFA-s, Gianni Infantino. "Zhvillimet që shoqëruan këtë proces kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit, çështje që do të duhet patjetër të adresohen.Vendimet që ndikojnë në qeverisjen e sportit tonë duhet të udhëhiqen gjithmonë nga standardet më të larta të transparencës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale", shkruan Duka.Reagimi i plotë i Armand Dukës:E mirëpres vendimin e fundit të FIFA-s për t’u tërhequr nga plani per shitjen e një pjese të të drejtave të FIFA-s tek investitorë privat që doli në dritë gjatë ditëve të fundit.Megjithatë, zhvillimet që shoqëruan këtë proces kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit, çështje që do të duhet patjetër të adresohen. Vendimet që ndikojnë në qeverisjen e sportit tonë duhet të udhëhiqen gjithmonë nga standardet më të larta të transparencës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale.Këto parime janë themelore për mbrojtjen e integritetit të futbollit. Mbështes plotësisht qëndrimin e UEFA-s. Së bashku me UEFA-n dhe kolegët e mi, presidentët e federatave kombëtare, do të punoj ngushtë për të siguruar që mësimet e nxjerra nga kjo situatë të përkthehen në hapa konkrete dhe që të vendosen mekanizmat e nevojshëm për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.Përgjegjësia jonë e përbashkët është të mbrojmë futbollin, të ruajmë vlerat e tij dhe të sigurojmë që ai të vazhdojë të qeveriset me integritet, transparencë dhe gjithmonë në interesin më të mirë të lojës dhe të gjithë atyre që janë pjesë e saj. Edhe një herë u dëshmua se uniteti është vlera jonë më e madhe.UEFA tregoi sërish se, kur të gjithë aktorët e futbollit flasin me një zë të vetëm dhe qëndrojnë të bashkuar, gjithmonë mund të gjendet rruga e duhur. S.Dh/Shqiptarja.com Share S.Dh/Shqiptarja.com TAG: Aleksandër Ceferin Gianni Infantino uefa FIFA Komento Komente Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.3% 100 bashki (PD) 16.1% 61 bashki (si sot) 27.6% Vota total: 1771 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?
