Giorgia Meloni Në demokraci, udhëheqësit nuk gjykohen vetëm nga aftësia për të fituar mbështetje, por edhe nga gatishmëria për të mbrojtur shtetin e së drejtës kur opinioni publik kërkon zgjidhje të lehta. Sfida e vërtetë e çdo lideri është të udhëheqë qytetarët me bindje, jo të ndjekë instinktet e momentit për hir të konsensusit. “Të dashur bashkëqytetarë, si shumë prej jush, edhe unë jam e tronditur nga episodet e dhunës që po shtohen gjithnjë e më shumë në qytetet tona. E kuptoj ndjenjën e alarmit dhe të pasigurisë që ato krijojnë. Por a mund ta pranojmë për këtë arsye, që secili të marrë drejtësinë në duart e veta?
Ekzistojnë ligje që përcaktojnë kufijtë brenda të cilëve mund të ushtrohet mbrojtja e ligjshme, dhe këta kufij janë të arsyeshëm, sepse bazohen në parimin e proporcionalitetit.
Nëse për shembull, pas një aksidenti rrugor dikush më shtyn gjatë një debati, unë nuk mund të nxjerr armën dhe ta qëlloj.
Në rastin që ka dominuar së fundmi kronikën, ku dy grabitës humbën jetën teksa po largoheshin, tre shkallë të ndryshme gjykimi arritën në të njëjtin përfundim: reagimi i viktimës së tentativës së grabitjes kishte tejkaluar qartë kufijtë e parashikuar nga ligji.
Për këtë arsye ai u dënua. E kuptoj revoltën që mund të shkaktojë një vendim i tillë. Dhe e di se është e pashmangshme që dikush të përpiqet ta shfrytëzojë këtë ndjenjë për të thënë se shteti nuk bën asgjë kundër kriminalitetit, se nuk lufton pasigurinë dhe se kështu nuk mund të vazhdohet më, duke ju ftuar ndoshta ta votoni.
Por ndaluni një çast dhe mendoni për pasojat e një logjike të tillë. A duhet të arrijmë në përfundimin se ndaj çdo fyerjeje, çdo agresioni, pavarësisht rëndësisë së saj, qoftë edhe një tentativë për vjedhje xhepi apo rrëmbim çante, lejohet të përgjigjemi me çdo mjet, deri te përdorimi i pakufizuar i dhunës?
A duhet që përgjigjja të jetë gjithmonë plumbi dhe vrasja? A është kjo ajo që prisni nga qeveria? Apo mendoni se gjyqtarët nuk duhet të zbatojnë ligjin, se duhet të mbyllin njërin sy?
Se ligji vlen për trafikantin e drogës, për kontrabandistin e emigrantëve apo për pushtuesin e paligjshëm të një banese, por nuk duhet të zbatohet ndaj një tregtari që ndjek për qindra metra një grabitës jashtë dyqanit dhe, pasi e arrin, e qëllon për vdekje me armë, madje vret edhe një të dytë?”.
Pyes veten: nëse ditët e fundit Giorgia Meloni, në vend që t’i jepte mbështetje pak a shumë të hapur çështjes së argjendarit Mario Roggero, do të kishte mbajtur një fjalim si ky, sa votues të partisë së saj apo të koalicionit qeverisës do të ishin zhgënjyer?
Sipas meje, vetëm një pakicë krejt e parëndësishme. Do të kishte qenë fjalimi që pritet nga një udhëheqëse e një të djathte liberale-konservatore, e cila vendos respektin për ligjin mbi çdo llogari të ngushtë politike.
Po ashtu, do të kishte qenë një fjalim me vlerë edukative dhe politike, që synon t’i bëjë qytetarët të reflektojnë dhe jo thjesht t’u konfirmojë bindjet e tyre. Në fund të fundit, ky është roli i një udhëheqësi.
Ai duhet të ecë një hap përpara mbështetësve të vet, jo një hap pas tyre. Është e lehtë t’i përshtatesh zërit më të fortë të shumicës apo humorit të opinionit publik. Por qeverisja kërkon diçka tjetër: të marrësh vendimin që e konsideron më të mirë për vendin, sipas bindjes tënde, edhe kur ai nuk është më popullori.
A përputhet vërtet gjykimi i Giorgia Melonit, në këtë rast, me atë të gjeneralit Roberto Vannaçi? Nuk e besoj. Nuk mund të jesh një ‘garantist’ i vendosur në prill, kur flet për referendumin mbi drejtësinë, dhe vetëm pak muaj më vonë të mbështesësh në praktikë logjikën e drejtësisë së bërë me duart e veta në rastin Roggero.
Në fakt, qëndrimi i Melonit mund të shpjegohet vetëm nga frika se mos humbet terren përballë retorikës populiste të Vannaçit. Por a e ka llogaritur kryeministrja se sa vota mund të humbasë pikërisht duke u lënë të kushtëzohet nga ai?
Madje shtrohet një pyetje edhe më serioze: sa e dëmton autoritetin e saj politik fakti që duket sikur i nënshtrohet presionit të gjeneralit? Edhe më befasues është fakti se deri tani nga Fratelli d’Italia nuk ka ardhur pothuajse asnjë kundërpërgjigje e vërtetë ndaj sfidës që përfaqëson Vannaçi.
E megjithatë, pikat e dobëta të projektit të tij politik janë të shumta. Duke nisur nga e kaluara e tij: nga periudha kur shërbeu si atashe ushtarak në Moskë, te pozicionet që sot në praktikë, përputhen shpesh me interesat e politikës së jashtme ruse.
Pastaj janë deklaratat e tij tepër radikale mbi çështje të ndryshme, të botuara në librin që e bëri një figurë publike, si edhe roli i paqartë dhe shpesh kontradiktor që ka luajtur brenda Lega-s që nga fillimi.
A nuk janë këto tema që kërkojnë sqarime? A nuk do të ishte normale që dikush t’i kërkonte gjeneralit të jepte përgjigje? Atëherë, përse Fratelli d’Italia duket se shmang me kujdes çdo përballje me të?
Përse, në vend që ta sfidojë politikisht, zgjedh të ecë pas tij, duke kontribuar kështu, në mënyrë paradoksale, në legjitimimin dhe forcimin e një ngjitjeje politike, që në të vërtetë mund të ishte shmangur?/ Përshtati "Pamfleti" Nga “Corriere della Sera”giorgia meloni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Donald Trump shfaq hapur ambiciet e reja: Dua një mandat të tretë presidencial 25 Korrik 2026, 08:0808:08Rajoni dhe Bota Trump: Po negociojmë me Iranin, por ata nuk janë ende gati për një marrëveshje 24 Korrik 2026, 22:4222:42Rajoni dhe Bota Kush po lobon në Shtetet e Bashkuara nga Serbia dhe pse? 24 Korrik 2026, 22:3122:31Rajoni dhe Bota Trump 'tërbohet' me BE pas gjobës ndaj Google: SHBA nuk është "derrkuci" i Europës 24 Korrik 2026, 21:2621:26Rajoni dhe Bota Irani kërcënon SHBA-në: Për çdo iranian të vrarë do të vritet një ushtar amerikan 24 Korrik 2026, 21:1021:10Rajoni dhe Bota Moti i keq godet Greqinë, stuhi, përmbytje dhe mbi 112 mijë shkarkime elektrike 24 Korrik 2026, 21:0121:01Rajoni dhe Bota

