Zjarri i paparashikueshëm detyron evakuimin e gadishullit Cap Ferret në bregdetin francez, ndërsa Spanja shpall emergjencë kombëtare. Mijëra njerëz evakuohen në jug të Francës dhe Spanjës për shkak të zjarreve Mbi 200 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre ose të qëndrojnë të izoluar, pasi zjarre të mëdha pyjore përfshinë Spanjën dhe Francën të premten. Situata ka detyruar qeverinë spanjolle të shpallë gjendjen kombëtare të emergjencës për herë të parë për shkak të një zjarri pyjor, ndërsa autoritetet franceze urdhëruan evakuimin e plotë, si nga toka ashtu edhe nga deti, të gadishullit Cap Ferret, një prej destinacioneve më të njohura turistike të vendit.
Autoritetet në jugperëndim të Francës urdhëruan evakuimin "fshat pas fshati" të gadishullit Cap Ferret në brigjet e Atlantikut, përballë një zjarri të cilësuar si "jashtëzakonisht intensiv dhe i paparashikueshëm", i cili ka shkrumbuar mbi 19 mijë hektarë pyje. Në Spanjë, dy zjarre të mëdha pranë Madridit u bashkuan në një vatër të vetme, ndërsa një zjarr i tretë ishte pranë bashkimit me to. Për shkak të temperaturave ekstreme dhe thatësirës së madhe, qeveria shpalli emergjencën kombëtare. Të dy vendet kanë kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian. Presidentja e Rajonit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cilësoi situatën si "zjarrin më të rëndë në historinë e rajonit", duke shtuar se bëhet fjalë për "një situatë të paprecedentë, një stuhi perfekte e krijuar nga temperaturat rekord dhe erërat e forta".
Në Francë, prefektura e Gironde bëri të ditur se mbi 110 mijë persona janë evakuuar brenda dy ditësh për shkak të zjarrit në Cap Ferret. Mes tyre ndodhen mijëra turistë që po pushonin në kampe dhe banesa me qira. Anije transportuan qindra persona nga gadishulli pasi flakët rrezikonin të bllokonin rrugën e vetme që lidh zonën me pjesën tjetër të vendit. Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po sjellin valë gjithnjë e më të shpeshta të të nxehtit ekstrem, tharjen e tokës dhe lumenjve, duke krijuar kushte ideale për përhapjen e zjarreve. Evropa po ngrohet me ritëm rreth dy herë më të shpejtë se mesatarja globale.
Rreth 800 zjarrfikës dhe katër avionë që hedhin ujë nga ajri po luftojnë zjarrin në Gironde, në veri të Gjirit të Arcachon. Zjarri nisi të mërkurën pranë fshatit Saumos, rreth 40 kilometra në perëndim të Bordeaux, por ende nuk është vënë nën kontroll.
Shumë rrugë në zonë, përfshirë ato që të çojnë drejt Cap Ferret, ku ndodhen vila luksoze të personazheve të njohur dhe milionerëve, janë mbyllur. Deri tani janë shkatërruar të paktën 80 banesa.
"Kam parë shumë zjarre gjatë jetës, por kurrë një të tillë. Gjithçka është djegur. Është si të humbasësh një fëmijë", tha për Le Monde 86-vjeçari Jean Mazodier, pronar i 150 hektarëve pyll, i cili u evakuua nga shtëpia e tij në orët e para të mëngjesit. Një zjarr i dytë në rajonin francez të Landes, pranë destinacionit turistik Biscarrosse, ka djegur mbi 2.500 hektarë pyje dhe ka detyruar evakuimin e rreth 31 mijë personave. Mbi 600 zjarrfikës po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve.
"Ka shumë vatra të reja përpara frontit kryesor të zjarrit. Situata është shumë dinamike dhe e pafavorshme", deklaroi prefekti i Landes, Gilles Clavreul.
Në vitin 2022, një zjarr i madh në jugperëndim të Francës shkatërroi mbi 30 mijë hektarë pyje dhe detyroi evakuimin e 50 mijë banorëve. Këtë herë, kushtet e thata dhe erërat e forta kanë bërë që flakët të arrijnë deri në 10 metra lartësi.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se ka aktivizuar mekanizmin evropian të mbrojtjes civile, ndërsa vendi po përballet me dhjetëra zjarre pas tre valëve të njëpasnjëshme të të nxehtit që nga muaji maj. "Shumë shpejt do të kemi përforcime nga dy avionë kroatë, dy avionë portugezë dhe dy helikopterë të rëndë nga Republika Çeke dhe Sllovakia", tha Macron.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, deklaroi se aktualisht në Francë janë aktive 32 zjarre pyjore dhe se deri tani gjatë këtij viti janë djegur rreth 50 mijë hektarë tokë, gati katër herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në juglindje të Francës, rreth 800 zjarrfikës po luftojnë një tjetër vatër të madhe në rajonin Var. Përmirësimi i kushteve atmosferike në këtë zonë ka bërë të mundur transferimin e disa forcave drejt jugperëndimit.
Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, intensiteti i zjarreve në Bashkimin Evropian ka thyer rekordet sezonale.
Në Spanjë, qeveria shpalli të enjten në mbrëmje gjendjen kombëtare të emergjencës pasi zjarret kërcënuan zonat pranë Madridit dhe provincës fqinje Ávila, duke detyruar evakuimin ose izolimin e më shumë se 63 mijë personave.
Kjo është vetëm hera e dytë që shpallet një emergjencë kombëtare në Spanjë. E para ndodhi gjatë ndërprerjes masive të energjisë elektrike në prill të vitit 2025.
Qeveria rajonale e Madridit kërkoi ndihmën e autoriteteve qendrore, duke e cilësuar situatën si "jashtëzakonisht të rëndë". Sipas saj, të paktën katër zjarre aktive mund të përhapen përtej kapaciteteve aktuale të shuarjes.
Autoritetet spanjolle paralajmëruan se mbetet "shumë pak kohë" përpara se zjarri pranë Madridit të bashkohet me atë në Ávila, duke krijuar një vatër edhe më të madhe.
Ministri rajonal i Mjedisit në Madrid, Carlos Novillo, deklaroi të premten në mbrëmje se zjarri kishte hyrë në "një moment kritik" dhe kishte tejkaluar kapacitetet aktuale të zjarrfikësve.
"Prioriteti ynë është mbrojtja e jetës së njerëzve, ndihma për të evakuuarit dhe shfrytëzimi i çdo mundësie për të luftuar flakët", tha ai.
José Cobos, i cili u largua nga shtëpia e tij rreth 50 kilometra në jugperëndim të Madridit së bashku me bashkëshorten dhe tre qentë, tregoi për televizionin Antena 3 se tymi ishte aq i dendur sa "nuk mund të merrje frymë".
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez zhvilloi një mbledhje urgjente në Pallatin Moncloa, ndërsa shërbimi meteorologjik paralajmëroi se rreziku për zjarre të reja mbetet shumë i lartë.
Sánchez deklaroi se qeveria ka angazhuar "të gjitha burimet e disponueshme", duke siguruar se shteti do të jetë pranë qytetarëve gjatë emergjencës dhe fazës së rimëkëmbjes. Ai falënderoi gjithashtu të gjitha shërbimet e emergjencës që po luftojnë me flakët ditë e natë dhe njoftoi se do të vizitojë zonat e prekura.
Ministria spanjolle e Mjedisit bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar 29 zjarre të mëdha pyjore, krahasuar me një mesatare prej nëntë zjarresh për të njëjtën periudhë gjatë dekadës së fundit. Deri tani janë djegur rreth 114.796 hektarë pyje, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin djegur vetëm 25.133 hektarë.
Edhe Spanja ka kërkuar ndihmë nga mekanizmi evropian i mbrojtjes civile për dërgimin e avionëve zjarrfikës.
Ndërkohë, Garda Civile spanjolle njoftoi të premten në mbrëmje se një person është arrestuar dhe një tjetër po hetohet në lidhje me zjarrin në komunën Burgohondo, në provincën Ávila. Sipas hetimeve paraprake, dy të dyshuarit kanë shpërfillur ndalimin për përdorimin e makinerive të rënda gjatë temperaturave ekstreme, duke shkaktuar shkëndija që dyshohet se ndezën zjarrin.situatë apokaliptike nga zjarret në europë 220 mijë persona të evakuuar screenshot 13 screenshot 14 screenshot 15 screenshot 16 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Udhëheqësit dhe çmimi i i konsensusit 25 Korrik 2026, 08:1108:11Rajoni dhe Bota Donald Trump shfaq hapur ambiciet e reja: Dua një mandat të tretë presidencial 25 Korrik 2026, 08:0808:08Rajoni dhe Bota Trump: Po negociojmë me Iranin, por ata nuk janë ende gati për një marrëveshje 24 Korrik 2026, 22:4222:42Rajoni dhe Bota Kush po lobon në Shtetet e Bashkuara nga Serbia dhe pse? 24 Korrik 2026, 22:3122:31Rajoni dhe Bota Trump 'tërbohet' me BE pas gjobës ndaj Google: SHBA nuk është "derrkuci" i Europës 24 Korrik 2026, 21:2621:26Rajoni dhe Bota Irani kërcënon SHBA-në: Për çdo iranian të vrarë do të vritet një ushtar amerikan 24 Korrik 2026, 21:1021:10Rajoni dhe Bota

