Lajme Zone
'Uau', Trump feston fitoren e AfD-së në Gjermani, kancelari Merz anulon telefonatën me presidentin amerikan
PolitikëReport TV

'Uau', Trump feston fitoren e AfD-së në Gjermani, kancelari Merz anulon telefonatën me presidentin amerikan

Presidenti amerikan e lidhi fitoren e AfD-së në landin e Saksoni-Anhaltit me pakënaqësinë ndaj politikave të emigracionit. Vetëm pak orë më parë, kancelari gjerman e kishte akuzuar partinë e ekstremit të djathtë se synon një "spastrim etnik".

Në Berlin nuk japin shpjegime. Thonë vetëm se nuk bëhet fjalë për një problem të axhendës. Telefonata mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump, e planifikuar për sot, u shty me kërkesë të palës gjermane. Koha kur ndodhi kjo nuk kaloi pa u vënë re. Vetëm një ditë më parë, Trump kishte përshëndetur fitoren e AfD-së në landin e Saksoni-Anhaltit, partia që sapo i shkaktoi CDU-së së Merzit humbjen më të rëndë në një zgjedhje rajonale. LEXO edhe...Debati për emigracionin në Bundestagun gjerman, kryetarja e AfD kërkon dëbimin e mbi 1 milionë emigrantëve! Merz: Doni të bëni spastrim etnik! Në rrjetin e tij social Truth Social, Trump shkroi: "Uau! Partia populiste në Gjermani sapo pati një natë vërtet të madhe. Më në fund, gjermanët janë lodhur nga rregullat dhe politikat absolutisht të tmerrshme të emigracionit, që i kanë shkaktuar kaq shumë dëm Gjermanisë. JANË NË RRITJE dhe nuk kanë më ndërmend ta pranojnë këtë!" Në fund të mesazhit ai shtoi edhe sloganin "Make Germany Great Again", një variant i sloganit të tij të njohur elektoral. Kontrasti mes dy liderëve nuk mund të ishte më i madh. Trump e sheh rritjen e AfD-së si provë se gjermanët kërkojnë një ndryshim të kursit për emigracionin, ndërsa Merz e konsideron partinë e ekstremit të djathtë një kundërshtar që duhet ndalur. Kancelari e tha këtë me tone veçanërisht të ashpra gjatë debatit të përgjithshëm në Bundestag për projektbuxhetin, debat që u shndërrua në një përballje të drejtpërdrejtë me lideren e AfD-së, Alice Weidel. Sipas Merzit, politika e "remigrimit" e mbështetur nga AfD-ja do të përbënte një formë "spastrimi etnik". Weidel, nga ana tjetër, nuk kurseu sulmet ndaj kancelarit. Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt tregon fundin e CDU-së. AfD mori 43,8% të votave, ndërsa partia e Merzit ra në 17,2%. Një goditje e rëndë për kancelarin, i cili vetëm të hënën e kishte cilësuar rezultatin si "humbjen më të rëndë të CDU-së prej vitesh, në mos dekadash". Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, nuk konfirmoi se shtyrja e telefonatës ishte pasojë e deklaratave të Trumpit. Telefonata pritej të shërbente edhe për përgatitjen e aktiviteteve përkujtimore të 11 shtatorit 2001. Por ajo u shty pikërisht në një moment kur distanca mes Uashingtonit dhe Berlinit nuk duket më vetëm diplomatike: ajo përfshin emigracionin, Rusinë, Ukrainën dhe, në një nivel më të thellë, vetë idenë për Europën dhe demokracinë. Duhet thënë se marrëdhënia mes Merzit dhe Trumpit nuk ka qenë kurrë e thjeshtë. Gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, në qershor 2025, Merz ishte përpjekur ta bindte Trumpin të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj Vladimir Putinit për luftën në Ukrainë, ndërsa presidenti amerikan e kishte krahasuar luftën me një sherr mes fëmijësh. Më pas pati përpjekje për të zbutur marrëdhëniet. Vetëm tre muaj më parë, gjatë samitit të G7 në Evian, kancelari gjerman i dhuroi Trumpit një fanellë të kombëtares gjermane me emrin "Trump" dhe numrin 47, me rastin e 80-vjetorit të lindjes, duke i thënë: "Në fund të fundit, jemi në të njëjtën skuadër." Sot, Trump feston fitoren e AfD-së, ndërsa Merz e konsideron atë një kërcënim. U.D/ReportTv.al SHBA AfD gjermani Friedrich Merz donald trump Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78% Magjistratëve 15.9% Nuk e di 6.1% Vota total: 2903 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?