Lajme Zone
“U zhduk pa lënë gjurmë”, presidenti i Lecces rrëfen historinë e arratisjes së futbollistit: Ai meriton të pezullohet
SportTop Channel

“U zhduk pa lënë gjurmë”, presidenti i Lecces rrëfen historinë e arratisjes së futbollistit: Ai meriton të pezullohet

Lameck Banda është në qendër të një prej historive më të bujshme të kësaj vere në futbollin italian. Sulmuesi zambian, sipas versionit të presidentit të Lecces, Saverio Sticchi Damiani, u kthye nga pushimet dhe më pas u zhduk, duke mos iu përgjigjur më klubit dhe duke kërkuar një rrugë për t’u transferuar te skuadra libiane Al Swehli.

Lameck Banda është në qendër të një prej historive më të bujshme të kësaj vere në futbollin italian. Sulmuesi zambian, sipas versionit të presidentit të Lecces, Saverio Sticchi Damiani, u kthye nga pushimet dhe më pas u zhduk, duke mos iu përgjigjur më klubit dhe duke kërkuar një rrugë për t’u transferuar te skuadra libiane Al Swehli. Në një intervistë të gjatë, presidenti i Lecces ka rrëfyer hap pas hapi prapaskenat e historisë, që nisi me rinovimin e kontratës dhe përfi me një përplasje ligjore që tashmë mund të shkojë deri në FIFA.

Sipas Sticchi Damiani, Banda kishte qenë nën kontratë me Leccen që prej vitit 2022 dhe marrëveshja përmbante një opsion për zgjatjen e saj.

Fillimisht kontrata parashikonte përfundimin në qershor 2026, por Lecce aktivizoi opsionin për ta zgjatur deri në qershor 2027. Presidenti pretendon se lojtari ishte në dijeni dhe se madje kishte firmosur një dokument në selinë e klubit.

“Opsioni ka qenë gjithmonë pjesë e kontratës së Lameck, që kur ai mbërriti në Salento në verën e vitit 2022. Majin e kaluar e thirrëm në selinë tonë. Banda, i ndihmuar nga ish-agjentët e tij, nënshkroi një dokument duke rënë dakord për ushtrimin tonë të opsionit të rinovimit”, rrëfen Sticchi Damiani.

Madje, sipas tij, në atë periudhë marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit ishte shumë e mirë.

Banda kishte festuar publikisht 100 ndeshjet me Leccen, duke e cilësuar klubin si “familjen e tij italiane”. Në qershor, sipas presidentit, ai i kishte kërkuar klubit edhe një paradhënie të pagës për shpenzimet e dasmës së tij dhe kërkesa ishte pranuar.

Momentin e kthesës Sticchi Damiani e vendos më 13 korrik. Skuadra po rikthehej nga pushimet dhe lojtarët kishin komunikuar me klubin për fluturimet dhe oraret e kthimit.

“Banda, si të gjithë shokët e tij të ekipit, na tha se kur do të mbërrinte dhe çfarë fluturimesh do të merrte për t’u kthyer në Itali. Papritmas, megjithatë, ai u zhduk”, tregon presidenti.

Sipas tij, lojtari nuk u paraqit në grumbullim dhe nisi të shmangte kontaktet me klubin.

“U zhduk, ndërsa ai kërkonte një marrëveshje për t’u transferuar te klubi libian Al Swehli”, pretendon Sticchi Damiani.

Në sfond ishte edhe interesimi i Al-Fateh nga Arabia Saudite, që sipas raportimeve i kishte ofruar Bandës një kontratë të rëndësishme. Por presidenti i Lecces mohon se ka pasur një negociatë të vërtetë.

“Ne morëm një ofertë shumë të ulët nga Al-Fateh, edhe më të ulët se ajo që kishim investuar për ta blerë Lameckun në vitin 2022. Ne refuzuam dhe ky ishte fundi i historisë”, thotë ai.

Historia merr një tjetër kthesë me hyrjen në skenë të Al Swehli. Sipas presidentit të Lecces, klubi libian kishte bërë një ofertë për transferimin e Bandës, por Lecce e kishte refuzuar. Pas kësaj, pretendon Sticchi Damiani, u tentua një tjetër rrugë: transferimi i lojtarit pa pagesën e kartonit.

“Klubi libian paraqiti zyrtarisht një propozim për ta blerë Bandën një muaj më parë, duke na ofruar një tarifë shumë të ulët. Pasi ne refuzuam, ata hartuan, me bashkëpunimin e lojtarit, një plan për ta marrë atë pa paguar asnjë qindarkë”, deklaron ai.

Al Swehli kërkoi më pas që Banda të konsiderohej lojtar i lirë dhe të mund të regjistrohej pa marrëveshje me Leccen. Kjo kërkesë u refuzua nga FIGC.

“Prisja një rezultat të ngjashëm. Banda ka një kontratë që e lidh me Leccen deri në qershor 2027 dhe, natyrisht, nuk mund të trajtohet si agjent i lirë”, thotë Sticchi Damiani.

Sipas presidentit, Banda dhe Al Swehli mund t’i drejtohen FIFA-s për të kërkuar autorizimin e transferimit. Sticchi Damiani paralajmëron se Banda mund të nisë sezonin me klubin libian, edhe pse çështja e kontratës së tij me Leccen nuk është zgjidhur përfundimisht.

“Ka të ngjarë që Banda ta fillojë sezonin duke luajtur për Al Swehli”, deklaron ai.

Në të njëjtën kohë, Lecce përgatitet për betejën ligjore. Klubi italian synon të kërkojë dëmshpërblim për prishjen e njëanshme të kontratës dhe për kostot që do të sjellë zëvendësimi i lojtarit.

“Lojtari meriton të pezullohet, ndërsa klubi libian meriton të përjashtohet nga negociatat e transferimit”, thotë presidenti.

Për Leccen, çështja nuk lidhet vetëm me Bandën. Sticchi Damiani druhet se një vendim në favor të lojtarit mund të krijojë një precedent që do t’u lejonte futbollistëve nën kontratë të largoheshin sipas dëshirës.

“Përndryshe, do të krijohet një precedent që legjitimon një klimë ‘të gjithë kundër të gjithëve’, me të gjithë të lirë të bëjnë çfarë të duan. Lojtarët nën kontratë do të ndihen të lirë t’i thyejnë ato për lehtësinë e tyre”, shprehet ai.

Presidenti i Lecces thotë se kjo është një betejë që duhet të shqetësojë edhe klubet e tjera që respektojnë kontratat.

Rasti Banda vjen në një periudhë të vështirë për Leccen, pas edhe largimit të drejtorit Pantaleo Corvino. Megjithatë, Sticchi Damiani beson se klubi mund ta përdorë situatën për të nisur një kapitull të ri.

“Është një verë shumë sfiduese, por çdo ngjarje që mund të duket e pafavorshme duhet të transformohet në një mundësi për rinisje, rritje dhe përmirësim”, përfn ai. Top Channel