Lajme Zone
U shua në moshën 88-vjeçare, i jepet lamtumira etnologut dhe antropologut Mark Tirta
KulturëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

U shua në moshën 88-vjeçare, i jepet lamtumira etnologut dhe antropologut Mark Tirta

Akademiku emeritus Mark Tirta, një prej figurave më të rëndësishme të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare është përcjellë këtë të premte për në banesën e fundit. I lindur më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës, Tirta ia kushtoi më shumë se gjashtë dekada studimit, dokumentimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.

Kolegë, studiues, pedagogë dhe bashkëpunëtorë kanë nderuar sot studiuesin Mark Tirta, në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave, ndërsa e kanë përcjellë për në banesën e fundit. Me një punë kërkimore të shumëanshme, Tirta preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, ndërsa studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe. LEXO edhe...‘Studiues i etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare’, shuhet në moshën 88-vjeçare akademiku Mark Tirta Pas studimeve në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, ai punoi fillimisht në arsim, për t’iu bashkuar më pas kërkimit shkencor në Institutin e Historisë. Nga viti 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ndërsa në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave. “Mark Tirta e përmbushi këtë përgjegjësi me një këmbëngulje të rrallë. Intelektuali që e ndërtoi autoritetin jo përmes zhurmës, por përmes punës. Njeriu i shkencës që e dinte se pas një të dhëne etnologjike qëndronte një njeri, një familje, një bashkësi dhe një histori”, tha Vasil Tole, studiues. Në dhjetëra ekspedita në Shqipëri, Kosovë dhe trevat arbëreshe, Mark Tirta mblodhi dëshmi mbi traditat, zakonet, besimet dhe mënyrën e organizimit të komuniteteve shqiptare. Mbi 300 punime shkencore e kulturore dhe vepra si “Mitologjia ndër shqiptarë”, “Etnologjia e shqiptarëve” dhe “Migrime të shqiptarëve” mbeten pjesë e rëndësishme e albanologjisë. “Marku pati një meritë të jashtëzakonshme sepse i shkoi në kufij rrezikut ideologjik. Mitologjia në vetvete ishte e rrezikshme për t’u studiuar, sepse në një farë mënyre ishte një formë besimi, por studimi i një forme besimi në një shtet ateist ishte shumë problematike. Pastaj kur kaloi në studimin e riteve dhe të besimeve, të ndikimit të besimeve fetare në botën dhe në jetën e njerëzve, kjo mund të rrezikonte edhe mosbotimin e veprës, por Marku ia doli. Si të thuash mit, ritë, besim, besytni ishin fusha e studimeve të tij. Për mua Marku ishte më shumë zot i terrenit jo vetëm në veri. Marku ka qenë kërkues i kodeve etnozakonore, i kanuneve, i miteve, i riteve, i besimeve edhe kur ishin të fshehura brenda, ishin si të thuash ngurtësuar brenda një fjale në të gjithë Shqipërinë. Unë personalisht kam qenë me të në një ekspeditë në Himar dhe në bregdet. E fshifja edhe aty se çfarë kërkimi dhe çfarë zelli kishte në punë”, tha Shaban Sinani, studiues. Pas tij mbetet edhe një pasuri e jashtëzakonshme arkivore. Mbi 5 mijë e 500 faqe me materiale etnografike të mbledhura në terren dokumentojnë një pjesë të rëndësishme të kujtesës shqiptare. “Marku duhet të plotësonte këtë boshllëk. Ai e ndjeu këtë si mision. Në këtë pikëpamje, roli i Markut ishte si një ndërmjetës midis kulturës evropiane dhe kulturës shqiptare”, theksoi Artan Shkreli, kryetar i komisionit të antropologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Një prej figurave që e përcaktoi për dekada studimin e kulturës tradicionale shqiptare, Mark Tirta lë pas një trashëgimi që do të vijojë të jetë pikë referimi për brezat e rinj të studiuesve. “Mark Tirta nuk ishte vetëm studiuesi i një brezi. Ai ishte urë lidhëse mes brezave të etnologëve shqiptarë. Ai ishte mentor dhe pedagog për shumë studiues të rinj”, tha Olsi Lelaj, drejtor i institutit të Antropologjisë. Me veprën e tij, Mark Tirta dokumentoi jo vetëm të kaluarën, por një pjesë të identitetit kulturor shqiptar. Xh.K/ReportTv.al mark tirta Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.1% Keq 35.1% Nuk e di 12.8% Vota total: 4330 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?