Tiranë- Presidenti i Republikës ka nxjerrë sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, i ndryshuar.
Presidenti kishte dhënë më herët pëlqimin për hyrjen në fuqi të menjëhershme të ligjit, pas kërkesës së Kuvendit dhe argumentimit për nevojën urgjente të zhbllokimit të pagave të magjistratëve.
Sipas argumentimit të Kuvendit, shfuqizimi i dispozitave për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, kishte sjellë bllokimin e pagesave për të gjithë magjistratët që nga 1 gushti 2026. Your browser does not support the video tag. Your browser does not support the video tag. Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlironte pagesat për gjyqtarët dhe prokurorët. Synimi ishte që pagat e prapambetura dhe pagesat në vijim të mund të disbursoheshin duke nisur nga 18 shtatori 2026.
Sipas Presidencës, ndjekja e procedurës së zakonshme për hyrjen në fuqi të ligjit do ta vononte procesin me rreth 15 deri në 35 ditë. Për këtë arsye, Presidenti dha pëlqimin për hyrjen e menjëhershme në fuqi, duke e konsideruar këtë një instrument kushtetues të justifikuar nga nevoja dhe urgjenca e situatës.
Në qëndrimin e tij, Presidenti thekson se argumentet dhe kundër-argumentet kushtetuese lidhur me masën e pagave mund të shqyrtohen edhe në instanca të tjera kompetente, ndërsa zhbllokimi i pagesave mund të realizohet përmes hyrjes në fuqi të ligjit të ri.
Sipas Presidencës, vendimi lidhet drejtpërdrejt edhe me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, përmes garantimit të standardit të jetesës dhe qëndrueshmërisë së të ardhurave për gjyqtarët dhe prokurorët në vend.
Njoftimi i plotë:
Presidenti i Republikës nxori sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.
Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.
Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.
Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese.
Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë.
Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.
Argumentet dhe kundër-argumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.
Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.
Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejtpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! -Politikë*KryesoreAktualitet Bajram Begajthesari i shtetit

