Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Sarandë, ku mësohet se është dhunuar shefi i krimeve të qytetit, Mateo Bakalli. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e lokalit “Orange”, ku, sipas informacioneve paraprake, disa persona po dhunoheshin me grushte nga bodyguardët e lokalit.
Në këto rrethana, Bakalli është futur për të ndërhyrë, duke u prezantuar si punonjës policie. Në momentin që ka ndërhyrë, edhe shefi i krimeve është qëlluar me grushte, duke pësuar dëmtime në trup dhe në fytyrë.
Pas ngjarjes, rreth 15 persona janë shoqëruar dhe po mbahen në komisariat, ndërsa policia vijon hetimet për të dokumentuar të plotë dinamikën e konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.
Ndërkohë, priten arrestime në lidhje me ngjarjen. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të dhunimit të shefit të krimeve të Sarandës. Top Channel

