Lajme Zone
“U çudita me amendamentin për t’i dhënë guvernatorit imunitet”, Berisha: Banka e Shqipërisë përgjegjëse për heshtjen ndaj zhvlerësimit të euros
PolitikëTop Channel

“U çudita me amendamentin për t’i dhënë guvernatorit imunitet”, Berisha: Banka e Shqipërisë përgjegjëse për heshtjen ndaj zhvlerësimit të euros

Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë do të gëzojnë mbrojtje të posaçme procedurale, nëse miratohet projektligji i ri për funksionimin e institucionit.

Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë do të gëzojnë mbrojtje të posaçme procedurale, nëse miratohet projektligji i ri për funksionimin e institucionit. Drafti parashikon se ndaj tyre nuk mund të merret masë arresti apo t’u kufizohet liria pa një autorizim paraprak nga Gjykata Kushtetuese.

Për këtë, kreu i Partisë Demokratike, gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi ditën e sotme me qytetarët, u shpreh se guvernatori dhe çdo njeri tjetër mund të arrestohet në një vend të shtetit ligjor.

Berisha shtoi se Shqipëria sot është vendi në të cilin euro është zhvlerësuar më shumë se çdo vend tjetër të planetit, duke shtuar se është Banka e Shqipërisë ajo që duhet të mbajë përgjegjësi.

“Guvernatori, dhe çdo njeri, arrestohet në një vend të shtetit ligjor, por arrestohet mbi bazën e veprave të argumentuara penale.

Kurse guvernatori ka një problem të madh për mua, dhe e tërë banka. Ata kanë një përgjegjësi të madhe për heshtjen që mbajnë ndaj narko-euros.

Ata janë përpjekur në treg për normalizimin e saj, por pa sukses, kanë blerë miliarda euro dhe ndokush mund të thotë po janë rezervë, po problemi është se kjo narko-euro, guvernatori duhet ta dijë, dhe e dinë mirë dhe zëvendësguvernatori dhe të tjerë me radhë, nga kjo narko-euro kanë falimentuar me dhjetëra mijëra sipërmarrje shqiptare.

Shqipëria sot është vendi në të cilin euro është zhvlerësuar më shumë se çdo vend tjetër të planetit.

Dhe kreu i ekzekutivit, që është kreu i meduzës së mafies, deklaron se jam krenar me narko-euron. Se kjo tregon ekonomi të fortë. Në një kohë kur Norvegjia, që vetëm fondin e investimeve e ka 1 trilion, dhe që nuk është në sistemin e euros, gjatë 10 viteve ka pësuar një zhvlerësim, jo të euros, një zhvlerësim të koronës në krahasim me euron, zhvlerësim prej 10-12%.

E po kështu zlloti polak, e po kështu shumë më tepër forinta hungareze.

Pra banka dhe guvernatori kanë një përgjegjësi të madhe në fshehjen që i bëjnë këtij zhvillimi dramatik, këtij fenomeni toksik për ekonominë shqiptare.

Këtu ka një përgjegjës për këtë dhe ky është Edi Rama. Kreu i karteleve të drogës më të fuqishme në Europë”, u shpreh berisha. Top Channel