Lajme Zone
U arrestuan gjatë protestës, gjykata liron 12 protestues
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

U arrestuan gjatë protestës, gjykata liron 12 protestues

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur lirimin e 12 personave të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur lirimin e 12 personave të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet. Vendimi u mor këtë të martë, më 27 tetor 2026, pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimeve dhe caktimin e masave të sigurisë. Për të gjithë personat nën hetim, gjykata caktoi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”, raporton gazetarja Klodiana Lala. Sipas vendimit, ata duhet të paraqiten pranë organit përkatës të hënën e parë të çdo muaji, në orare të përcaktuara për secilin. Të arrestuarit dyshohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë shkatërrimin e pronës, goditjen për shkak të detyrës, pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme, prishjen e qetësisë publike dhe pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit. Për disa prej tyre, dyshimet përfshijnë gjithashtu vepra të tjera penale, si shkatërrimi i pronës me zjarr dhe mbajtja pa leje e armëve. Në vendimin e saj, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të 12-të personave, nëse nuk mbahen për ndonjë çështje tjetër penale. Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda pesë ditëve nga njoftimi. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: gjykata protesta protestuesit