Detaje të reja dalin në dritë për Uljan Shpatarakun, ish-efektivin e Policisë së Shtetit, i cili u arrestua në flagrancë teksa shoqëronte me automjet Ergys Agasin, personin e shpallur në kërkim prej muajsh nga SPAK.
Pas arrestimit, autoritetet i kanë hequr Shpatarakut lejen e armës, ndërsa gjatë kontrolleve në banesën e tij është sekuestruar një arsenal prej shtatë armësh, të cilat i mbante me leje. Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë.
Sipas të dhënave, procedurat për heqjen e lejes së armës kishin nisur që përpara arrestimit, pasi Shpataraku ishte përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit disa javë më herët. Gjatë verifikimeve të kryera në kuadër të këtyre procedurave, autoritetet kanë evidentuar edhe armët që ish-efektivi mbante në banesë.
Shpataraku është përmendur më herët si një person i afërt me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Emri i tij u rikthye në vëmendje më 26 gusht, kur u arrestua ndërsa drejtonte një automjet tip “Audi”, në të cilin ndodhej Ergys Agasi.
Agasi ishte në kërkim prej më shumë se tetë muajsh nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen që lidhet me tenderët e AKSHI-t. Arrestimi i tij në zonën e Plepave i dha fund arratisë disa mujore.
Por hetimet ndaj Shpatarakut nuk lidhen vetëm me armët. Për ish-efektivin raportohet se autoritetet kanë edhe indicie për ekzistencën e një precedenti penal jashtë Shqipërisë, të cilin ai dyshohet se nuk e ka deklaruar.
Kështu, për ish-punonjësin e Policisë së Shtetit po verifikohen disa elementë, nga arsenali i armëve të sekuestruara në banesë, te rrethanat e shoqërimit të Ergys Agasit dhe të dhënat që lidhen me një precedent të mundshëm të padeklaruar jashtë vendit.
