Një ngjarje e rëndë u regjistrua gjatë natës së kaluar në vendin e quajtur Skërficë, në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë, ku një automjet tip “Volkswagen Touran”, që drejtohej nga 37-vjeçari Maridon Dhuli, u përfshi nga flakët. Si pasojë, drejtuesi i mjetit pësoi djegie të shkallës së tretë në trup dhe u dërgua fillimisht në urgjencën e Sarandës, për t’u transportuar më pas drejt Tiranës për trajtim të specializuar.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 37-vjeçari, banues në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Në momentet e para pas ngjarjes, disa qytetarë që po kalonin rastësisht në zonë ndërhynë për t’i ardhur në ndihmë të plagosurit. Mes tyre ishin Sokol Ahmetaj dhe Klajdi Selfi, ky i fundit një qytetar nga Saranda që po kthehej nga Tirana. Selfi përdori xhupin e tij për të shuar flakët në trupin e 37-vjeçarit, ndërsa njoftoi edhe shërbimet e emergjencës.
Por, përtej tragjedisë, dëshmia e një qytetari që ndodhej në vendngjarje ngre pikëpyetje të forta mbi kohën e mbërritjes së ambulancës dhe reagimin e shërbimeve të emergjencës.
Qytetari, i cili thotë se ishte i pranishëm gjatë ngjarjes, tregon se ambulanca mbërriti pas rreth një ore, pavarësisht telefonatave të përsëritura për ndihmë. Sipas tij, zjarrfikësja mbërriti në vendngjarje përpara ambulancës, ndërsa i plagosuri vijonte të qëndronte në rrugë, i mbrojtur nga shiu me çadrat e kalimtarëve.
Në rrëfimin e tij, qytetari shpreh indinjatën për atë që e cilëson si vonesë të pajustifikueshme në një situatë kritike për jetën e një njeriu.
“Kam qenë atje dje dhe e kam parë ngjarjen. Në çfarë shteti po jetojmë, o Zot?! Një njeri i djegur rëndë, në gjendje kritike, pret rreth një orë për ambulancën, ndërsa kalimtarët e mbajnë me çadra që të mos laget nga shiu. Ambulanca ishte njoftuar dhe e kemi telefonuar disa herë, por përsëri u vonua. Madje, zjarrfikësja mbërriti përpara saj. Sa herë telefononim, na thoshin: ‘E kemi nisur, s’kemi çfarë bëjmë’. Ndërkohë, i plagosuri vazhdonte të qëndronte në rrugë, mes dhimbjeve dhe në luftë për jetën.”.
Ai bën thirrje për përgjegjësi serioze pas këtij rasti tragjik duke u shprehur se në këto situata çdo minutë mund të jetë vendimtare.
Ai falenderon djemtë që ndërhynë dhe bënë gjithçka mundën për ta ndihmuar duke treguar humanizëm dhe guxim, duke mos qëndruar indiferentë përballë një njeriu që kishte nevojë urgjente për ndihmë”.
Mesazhi i plotë i qytetarit:
Kam qen atje dje dhe e kam par ngjarjen dhe dua te them Ne cfare shteti te kalbur po jetojme, o Zot?! Turp dhe neveri per kete sistem shendetesor! Nje njeri i djegur, ne gjendje kritike, pret rreth NJE ORE ambulancen, dhe kur ajo me ne fund mberrin, personeli pret te pushoje shiu per te dale, nderkohe qe kalimtaret e mbajne te plagosurin me cadra! Po cfare dreqin eshte kjo?! Ku e keni ndergjegjen, ku e keni njerezillekun?! Nje njeri po lufton per jeten, nuk po pret te pushoje shiu! Ne kete vend duket sikur jeta e njeriut nuk vlen asgje! Turp per cdo pergjegjes qe e trajton jeten e tjetrit me kaq indiference! Edhe pese minuta vonese mund te kushtojne nje jete!
Respekt per ata djem qe rrezikuan veten per ta shpetuar! Ata treguan me shume humanizem se ata qe kishin detyren ta ndihmonin!
Mallkuar qofte kjo papergjegjshmeri! Nuk mund te luhet keshtu me jeten e njerezve! Ambulanca, edhe pse ishte njoftuar dhe e kishim marre te gjithe ne telefon disa here, u vonua rreth NJE ORE! Madje, zjarrfikesja mberriti perpara ambulances! Dhe e dini cfare pergjigjeje merrnim sa here telefononim?! “E kemi nisur, s’kemi cfare bejme!” Po cfare dreqin eshte kjo pergjigje?! Nje njeri po digjej, po luftonte per jeten, ndersa ne telefon na kthenin pergjigje me nje indiference skandaloze! Turp, turp dhe vetem turp! Ne kete shtet te kalbur edhe kur je duke vdekur duhet te presesh! Ku eshte pergjegjesia, ku eshte humanizmi?! Jeta e njeriut nuk eshte loje, o njerez! vetm kete ku shihet zjarrfiksia para ambulances e cila u vonua akoma dhe personia i plagosur qendrron akoma aty ne ruge duke u mbajt me cader nga kalimtaret

