Mungesa e stafit të kualifikuar vijon të jetë një nga problematikat kryesore të sektorit të turizmit në Shqipëri. Për të përmirësuar standardet e shërbimit, eksperti i trajnimit të stafit, Fatjon Selimaj, së bashku me ekipin e tij, ka nisur një seri trajnimesh falas në qytete të ndryshme të vendit, kryesisht në Pogradec dhe në zonat bregdetare. Trajnimet fokusohen te mënyra e shërbimit, mikpritja, komunikimi me klientin dhe elementë të tjerë që lidhen drejtpërdrejt me standardet e bareve, restoranteve dhe strukturave akomoduese. Krahas profesionalizimit, një tjetër debat në sektorin e turizmit lidhet me pagat dhe punësimin e stafit të huaj. Sipas ekspertit Selimaj, punonjësit e huaj nuk paguhen domosdoshmërisht më shumë për shkak të origjinës, por paga përcaktohet nga eksperienca dhe kualifikimi. Ai thekson se kostot e akomodimit dhe ushqimit përbëjnë shpenzime shtesë për bizneset. “Nuk është se një i huaj paguhet më shumë vetëm sepse është i huaj. Paguhet më shumë ai që ka eksperiencë më të madhe dhe një CV më të mirë, pavarësisht nëse është shqiptar apo i huaj. Të paktën për Tiranën, ku e njoh goxha mirë tregun, pagat janë pak a shumë të njëjta. Ajo që rëndon më shumë kompaninë janë kostot ekstra, si akomodimi dhe ushqimi”, tha Fatjon Selimaj, ekspert i trajnimit të stafit Për Selimajn, zgjidhja nuk qëndron vetëm te rritja e pagave. Sipas tij, industria duhet të investojë te punonjësit gjatë gjithë vitit, në mënyrë që bizneset të mos përballen çdo sezon me mungesë stafi dhe me nevojën për të nisur trajnimet nga e para. Eksperti vlerëson se ardhja e punonjësve të huaj po krijon konkurrencë në tregun e brendshëm të punës, por kjo nuk nënkupton zëvendësimin e punonjësve shqiptarë. Sipas tij, konkurrenca mund të nxisë rritjen e profesionalizmit dhe të krijojë më shumë mundësi për ata që synojnë të ndërtojnë karrierë në këtë industri. “Mendoj që prurja e stafit të huaj po krijon një konkurrencë të brendshme. Por avash-avash po konsolidohet ideja që ai person që dëshiron të jetë në industri dhe dëshiron të bëjë karrierë, pas disa vitesh me një karrierë të mirë paguhet shumë mirë. Nuk është çështja që të huajt po zëvendësojnë shqiptarët. Është një konkurrencë që po krijohet në treg dhe që duhet të na shtyjë të bëhemi më profesionistë”, shtoi Selimaj. Nga Pogradeci në zonat bregdetare, trajnimet synojnë që shërbimi në turizëm të mos shihet thjesht si një punë sezonale, por si një profesion ku eksperienca, komunikimi dhe profesionalizmi mund të sjellin më shumë mundësi punësimi dhe paga më të mira.
