Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se aktualisht nuk po zhvillohen dhe as nuk janë planifikuar bisedime me Iranin, duke thelluar më tej tensionet mes dy vendeve. Në një postim të ri në Truth Social, Trump tha se “nuk ka bisedime apo diskutime” me Republikën Islamike të Iranit dhe se bllokada detare amerikane ndaj Iranit “mbetet në fuqi të plotë”. Në të njëjtën deklaratë, presidenti amerikan pretendoi se Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe funksionon normalisht, ndërsa shtoi se të gjitha minat nënujore janë hequr ose shpërthyer. Deklarata e Trump vjen pak pasi ai publikoi një hartë të Ngushticës së Hormuzit me mbishkrimin “Territor i Ri i SHBA-së”, duke shkaktuar reagime të forta nga Teherani. Nga ana tjetër, Irani ka një qëndrim krejtësisht të kundërt. Kryetari i Parlamentit iranian dhe negociatori kryesor i vendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të përmbushin kushtet e marrëveshjes së përkohshme të arritur në qershor. Sipas Ghalibaf, Teherani kërkon heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, heqjen e sanksioneve mbi eksportet e naftës, lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit dhe ndalimin e kërcënimeve dhe operacioneve ushtarake kundër Iranit.
Marrëveshja e mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit ishte arritur më 17 qershor, por negociatat u përfshinë shpejt në një ngërç për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kontrollin dhe statusin e Ngushticës së Hormuzit.
Trump kishte deklaruar më 7 korrik se marrëveshja ishte “e përfunduar”, ndërsa disa ditë më vonë Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se memorandumi ishte pezulluar.
Sipas marrëveshjes së përkohshme, të dyja palët ishin zotuar të negocionin një marrëveshje përfundimtare që do të përfshinte edhe çështje të lidhura me programin bërthamor të Iranit. Për negociatat ishte parashikuar një afat maksimal prej 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje nëse të dyja palët do të binin dakord.
Deklaratat e fundit nga Uashingtoni dhe Teherani tregojnë se përplasja mbi Ngushticën e Hormuzit mbetet një nga pikat kryesore të krizës, ndërsa çdo përshkallëzim mund të ketë pasoja të rëndësishme për sigurinë dhe transportin ndërkombëtar të energjisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

