Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur ligjin e ri që forcon sanksionet ndaj Rusisë dhe Iranit dhe i jep administratës amerikane kompetenca të reja për të ushtruar presion ekonomik ndaj Moskës. Ligji, i emërtuar “Lindsey O. Graham Sanctioning Russia and Iran Act of 2026”, parashikon masa ndaj zyrtarëve rusë, oligarkëve, bankave dhe institucioneve financiare të lidhura me Rusinë.
Një nga pikat kryesore të ligjit është mundësia që presidenti amerikan të vendosë tarifa deri në 100% ndaj vendeve që blejnë naftë dhe gaz natyror rus. Masat nuk vendosen automatikisht, por ligji i jep presidentit autoritetin për t’i zbatuar ato.
Kjo dispozitë mund të prekë veçanërisht Kinën dhe Indinë, dy prej blerësve kryesorë të naftës ruse. Uashingtoni synon përmes këtyre masave të rrisë presionin ekonomik ndaj Moskës dhe të kufizojë të ardhurat e saj nga eksportet energjetike.
Ligji parashikon gjithashtu sanksione ndaj sektorëve energjetikë dhe të mbrojtjes së Rusisë, si dhe ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin aktivitetet e saj.
Përveç Rusisë, paketa e re zgjeron edhe sanksionet ndaj Iranit, duke përfshirë sektorët energjetikë dhe të armëve
Projektligji ishte miratuar më herët nga Senati dhe më pas nga Dhoma e Përfaqësuesve, me mbështetje nga ligjvënës të të dyja partive.
Ligji mban emrin e senatorit republikan Lindsey Graham, një prej mbështetësve të fortë të Ukrainës, i cili ndërroi jetë në korrik.
Firmosja e ligjit nga Trump shënon një tjetër hap të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të rritur presionin ekonomik ndaj Rusisë, ndërsa vendimi për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që blejnë energji ruse mbetet në kompetencën e presidentit amerikan. Top Channel

