Donald Trump tha se ka anuluar sulmet e planifikuara kundër Iranit, me kusht që një marrëveshje me Teheranin të arrihet "shpejt". Në një postim në rrjetin Truth Social, presidenti amerikan pretendoi se Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar të "pezullonte" çdo sulm, pasi ishin rënë dakord për "konturet" e një marrëveshjeje. Sipas tij, kjo marrëveshje do të përfshinte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor të Iranit. Komentet e tij erdhën pasi mediat amerikane raportuan se Uashingtoni mund të kishte planifikuar sulme të reja dhe shumë intensive kundër Iranit gjatë fundjavës. LEXO EDHE:Presidenti Begaj dekreton hyrjen në fuqi të marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh me SHBA-në Më herët të shtunën, Teherani akuzoi SHBA-në për përshkallëzim të tensioneve, duke paralajmëruar se çdo shtet i rajonit që bashkëpunon me Uashingtonin do të "përfshihet nga flakët e luftës". Ndërkohë, qeveria amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme të jenë vigjilentë dhe të gatshëm të largohen "nëse situata përshkallëzohet" në rajon. "Amerikanët që ndodhen aktualisht në Lindjen e Mesme duhet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, si dhe të jenë të përgatitur për anulime fluturimesh, mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore dhe ndërprerje të mundshme të udhëtimeve", thuhej në njoftimin e sigurisë të publikuar të shtunën. Më herët, disa burime i thanë CBS News, partnerit amerikan të BBC-së, se SHBA-ja dhe Izraeli po planifikonin një nga fushatat më të ashpra të bombardimeve deri më sot, duke goditur infrastrukturën energjetike të Iranit. Sipas CBS News, ky plan u diskutua gjatë mbledhjes së kabinetit të Trump të premten. Në postimin e tij, Trump shtoi se SHBA-ja ishte "plotësisht e përgatitur dhe gati të vepronte kundër Republikës Islamike të Iranit me një nivel force ushtarake, fuqie dhe shkatërrimi që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore". Ai tha se anulimi i sulmit do të ishte "në dobi të së ardhmes së botës dhe njëkohësisht për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë". Irani nuk i është përgjigjur ende njoftimit të Trump. Sipas CBS News, gjatë mbledhjes së së premtes, ndërsa gazetarët ishin ende në sallë, Trump u dëgjua të thoshte: "Do t'i godasim shumë fort. Në një moment ata do të thonë: 'Nuk e përballojmë më'." Axios raportoi se princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, zhvilloi të shtunën një bisedë telefonike me Trumpin dhe shprehu "shqetësim" për sulmet e mundshme. Edhe Reuters raportoi për këtë telefonatë. Uashingtoni dhe Teherani kanë shkëmbyer sulme dhe kundërsulme që nga dështimi, në qershor, i armëpushimit të arritur në prill për të pezulluar luftimet. Më herët gjatë kësaj jave, SHBA-ja njoftoi se kishte përfunduar një "valë të rëndë" sulmesh kundër Iranit, si kundërpërgjigje ndaj një tentative për sulm me raketa balistike ndaj forcave amerikane në rajon. SHBA-ja ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane dhe ka bombarduar objektiva në Iran, ndërsa Irani ka lëshuar raketa dhe dronë kundër objektivave amerikane në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe ka shënjestruar anije në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore jetike për transportin global të naftës. SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet e tyre ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa shpërthimi i konfliktit ka shkaktuar luhatje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. K.M/Shqiptarja.com TAG: donald trump iran lufta në Iran SHBA Komento Komente Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.3% 100 bashki (PD) 16.6% 61 bashki (si sot) 27.2% Vota total: 2397 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?

