Të zëvendësosh një lojtar si Rafael Leao, i cili ishte idhulli i padiskutueshëm i tifozëve kuqezi për gati shtatë sezone, është një barrë e rëndë psikologjike për këdo. Megjithatë, ky presion u fshi sa hap e mbyll sytë kur Alphadjo Cisse vendosi të prezantohej në skenën e madhe të futbollit evropian.
Talenti 19-vjeçar e ka nisur aventurën e tij me Milanin në një mënyrë të jashtëzakonshme, duke realizuar një tregolësh historik në debutimin e tij përballë austriakëve të Salzburg.
Impakti i tij në këtë fillim sezoni i ka kaluar të gjitha pritshmëritë. Përveç tre golave në Evropë, Sise ka gjetur rrugën e rrjetës edhe dy herë të tjera në Serinë A, duke ndëshkuar skuadra me peshë si Torino dhe Juventusi.
Me një bilanc fantastik prej pesë golash në po aq ndeshje të luajtura si titullar, ai po udhëheq repartin ofensiv duke u konfirmuar momentalisht si golashënuesi më i mirë i skuadrës. Ky shpërthim ka bërë që trajneri Ruben Amorim të shprehë hapur besimin dhe dashurinë e tij futbollistike për talentin e ri.
Paraqitja e fundit kundër Salzburg ishte një tregues i qartë i repertorit të tij të pasur teknik. Sise i shënoi golat në të gjitha mënyrat e mundshme: me kokë, me këmbën e majtë dhe me të djathtën, duke demonstruar një instinkt vrasës dhe kohëzgjatje perfekte para portës.
Forca e tij e vërtetë qëndron në përshtatshmërinë taktike. I lindur si një fantazist i mirëfilltë, ai po tregon se mund të luajë në mënyrë perfekte edhe si sulmues i dytë apo si një "nëntë" e lëvizshme, duke kujtuar disi rrugëtimin e Christofer Nkunku në kohën kur luante me gjermanët e Lajpcigut.
Ky transformim drejt qendrës së sulmit nuk është tërësisht i ri. Trajneri i Italisë për 21-vjeçarët, Silvio Baldini, e kishte nuhatur këtë aftësi duke e aktivizuar pikërisht në rolin e "nëntës false" në sfidën e fundit kundër Armenisë, ku lojtari e shpërbleu me golin e fitores në minutën e 95-të.
Vetë Sise ka pranuar pas ndeshjes se kjo përvojë me fanellën e kombëtares e ka ndihmuar shumë në perfeksionimin e lëvizjeve të tij të reja. Në një moment delikat, kur si Milani ashtu edhe kombëtarja e Italisë janë në kërkim të dëshpëruar për një qendërsulmues të besueshëm, emri i Cisse po kthehet në shpresën e madhe mbi të cilën po ndërtohet e ardhmja e sulmit. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

