Tre motra trinjake nga Kukësi kanë nisur një kapitull të ri të jetës së tyre, duke zgjedhur ta vazhdojnë së bashku edhe rrugëtimin akademik.
Me emocionet e ditës së parë në Fakultetin e Mjekësisë, motrat kanë hyrë në auditorë me një vendim të përbashkët: të mos ndahen nga njëra-tjetra as gjatë studimeve. Edhe pse në listën e preferencave të tyre ishte edhe stomatologjia, në fund zgjodhën farmacinë, në mënyrë që të trija të ndjekin të njëjtën degë.
“Ka qenë dëshira jonë që të vazhdonim farmaci”, tregon njëra prej motrave.
Të trija kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera gjimnazin në Kukës, duke treguar një prirje të përbashkët për shkencat ekzakte. Suksesi në mësime duket se është vetëm një prej gjërave që i bashkon, pasi lidhja e tyre e veçantë ka nisur që në lindje.
Edhe pse janë trinjakë, karakteret e tyre nuk janë krejt të njëjta. Ajsel duket më e hapur dhe më e gatshme për të folur, ndërsa motrat e saj preferojnë një rreth më të ngushtë shoqëror dhe një natyrë më të rezervuar.
“Unë jam pak më e shkathët, ndërsa ajo preferon vetëm shoqërinë e ngushtë. Qëndron pak më shumë brenda komfortit të saj”, shprehet Ajsel.
Nga bankat e gjimnazit në Kukës te auditorët e universitetit, tre motrat po e vazhdojnë së bashku një rrugëtim që për to duket se ka qenë gjithmonë i pandashëm.

