Për vite me radhë, edhe pse kishte mbushur moshën e pensionit, Bajram Sulejmani vijonte të punonte në punishten e tij të drurit në Levan të Fierit. Puna ishte mënyra e tij për të siguruar të ardhurat e familjes dhe për të përballuar jetesën.
Sot, ajo punishte nuk ekziston më.
Zjarri që përfshiu zonën shkatërroi jo vetëm vendin ku 80-vjeçari punonte çdo ditë, por edhe banesën e tij, duke i lënë atij dhe familjes një humbje të madhe materiale dhe një nisje të vështirë nga e para.
Flakët prekën disa fshatra të Fierit, ndërsa banorët u përballën me orë të tëra ankthi dhe pasigurie. Disa prej tyre u detyruan të largohen nga banesat për t’i shpëtuar rrezikut, ndërsa zjarri vijoi të mbetet aktiv edhe më pas.
Për familjen Sulejmani, pasojat janë veçanërisht të rënda. Me shtëpinë e dëmtuar dhe mjetin e punës të shkatërruar, Bajrami ka humbur jo vetëm një pjesë të rëndësishme të asaj që kishte ndërtuar ndër vite, por edhe mundësinë për të vijuar punën që i siguronte të ardhurat.
Në këto momente të vështira, familja ka nevojë për solidaritetin e komunitetit dhe të çdo personi që ka mundësi të japë një dorë. Për këtë arsye të afërmit dhe familjarët kanë hapur një llogari në GoFundMe me synimin për t’i ndihmuar të rikuperojnë sadopak dëmet dhe të nisin rindërtimin e jetës së tyre.
Çdo ndihmë ka vlerë. Edhe një kontribut i vogël mund të bëhet pjesë e një ndryshimi të madh për këtë familje.

