Universiteti “Luarasi” do ta nisë vitin e ri akademik me programe dhe kurrikula të reja, duke vendosur një fokus të veçantë edhe te teknologjia, Inteligjenca Artificiale dhe siguria kibernetike, fusha që po ndryshojnë me shpejtësi edhe kërkesat e tregut të punës. Pedagogia Nadia Elbasani, e ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me Ola Brukon në News24, foli për risitë që do të gjejnë studentët me nisjen e vitit të ri akademik, duke u ndalur veçanërisht te masteri për Sigurinë Kibernetike dhe Inteligjencën Artificiale. “Të hënën nis viti i ri akademik. Kjo e gjen shumë mirë ‘Luarasin’, me programe dhe kurrikula të reja. Të rejat në teknologjinë e informacionit janë të përditshme dhe intensiteti është i lartë”, u shpreh Elbasani. Sipas pedagoges, pikërisht për shkak të transformimit të shpejtë teknologjik, studentët duhet të pajisen me njohuri që nuk u shërbejnë vetëm për nevojat e sotme, por që i përgatisin për profesionet dhe sfidat e së ardhmes. “Do të ndalem te masteri Siguria Kibernetike dhe Inteligjenca Artificiale, që është edhe trendi i së ardhmes. Duhet t’i kesh këto baza që të dish si të ecësh nesër në tregun e punës e të mos zëvendësohesh nga Inteligjenca Artificiale”, deklaroi ajo. Elbasani theksoi se njohuritë në fushën e sigurisë kibernetike janë gjithnjë e më të domosdoshme, jo vetëm për kompanitë private, por edhe për administratën publike, veçanërisht në kushtet e digjitalizimit të shërbimeve dhe sasisë së madhe të të dhënave që përpunohen elektronikisht.
“Kur kupton si funksionon siguria kibernetike, përgatitesh për gjithçka që mund të ndodhë edhe në administratë dhe në fushën e privatëve. Shqipëria nuk ka historik të mirë të mbrojtjes së të dhënave personale. Kalimi nga administrata fizike në digjitale duhet të ishte bërë shumë më me kujdes, duke respektuar protokollet”, tha pedagogia.
Një pjesë e rëndësishme e përgatitjes së studentëve në “Luarasi”, sipas saj, është edhe lidhja e njohurive teorike me zhvillimet konkrete që ndodhin në Shqipëri dhe jashtë saj.
“Me studentët tanë marrim në analizë dhe shqyrtim, në leksione të hapura, jo vetëm ngjarjet në Shqipëri, por edhe ato që ndodhin më gjerë”, u shpreh Elbasani.
Pedagogia theksoi se objektivi është që studentët të mos përgatiten vetëm për një profesion që kërkohet sot, por të fitojnë aftësi që u mundësojnë të përshtaten me ndryshimet teknologjike të viteve të ardhshme.
“Të mësosh studentët për tregun e punës nesër, si të jenë etikë në fushën e të dhënave personale, si është algoritmi etj., është mënyra se si tentojmë të krijojmë një student për të ardhmen, jo për pak vite, sepse gjërat ndryshojnë”, përfi Nadia Elbasani. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Luarasi Nadia Elbasani
